Fitorja 3-1 ndaj Alaves në “Spotify Camp Nou” nuk e la plotësisht të kënaqur trajnerin Hansi Flick.

Edhe pse Barça mori tre pikë, gjermani pranoi në konferencën për shtyp se ka ende shumë përmirësime kolektive që skuadra duhet të bëjë për të zbatuar plotësisht stilin e tij të lojës.

Pakënaqësia e tij u pa edhe pas vërshëllimës së fundit, ku kamerat e DAZN kapën një bisedë të shkurtër, por të ftohtë, me Raphinhan.

Me një shprehje serioze dhe vështrim të humbur, Flick tundte kokën disa herë drejt brazilianit, duke dhënë përshtypjen e qartë se nuk ishte i lumtur me atë që pa në fushë.

Raphinha, i pyetur më vonë për këtë moment, pranoi se “trajneri ndjeu se mund të bënim shumë më tepër në fushë”, diçka që e kishte shqetësuar dukshëm Flickun.

“Si lojtarë, edhe ne e dimë se mund të bëjmë më mirë. Ai mendon se ekipi nuk po luan në nivelin më të mirë. Edhe unë e mendoj të njëjtën gjë dhe duhet të përmirësohemi shumë. Sot, gjëja më e rëndësishme ishte fitorja”.

“Kemi kohë të rregullojmë gjërat që nuk po i bëjmë mirë. Jam i sigurt se do t’i rikthehemi nivelit tonë më të mirë dhe do të fitojmë duke luajtur mirë. Por nëse ka ndeshje ku duhet të luajmë keq dhe të fitojmë, nuk më intereson. E rëndësishme është të fitosh,” shpjegoi Raphinha për bisedën me Flickun.

Flick, nga ana e tij, foli pozitivisht për brazilianin në konferencë, duke theksuar se Raphinha “na jep shumë dinamizëm dhe është shumë i rëndësishëm”, ndërsa shtoi se “është fantastike ta kemi përsëri”.

Barcelona mori kreun e La Liga-s pas fitores ndaj Alaves, mirëpo nëse Reali e mposht Gironan atëherë do të rikthehen si lider në kampionatin spanjoll.