Barcelona ka konfirmuar një marrëveshje të re për mesfushorin Fermin Lopez, duke e lidhur atë me klubin deri në vitin 2031. Lopez kishte kontratë deri në vitin 2029, por është shpërblyer për paraqitjet e tij mbresëlënëse gjatë vitit 2025, teksa po sfidon Dani Olmon për një vend titullari.

22-vjeçari u inkuadrua në ekipin e parë nën drejtimin e Xavi Hernandez, por ka vazhduar të rritet edhe më shumë nën Hansi Flick. Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, ai u shndërrua në një nga kërcënimet kryesore për gol të Barcelonës, duke shënuar 10 gola dhe dhënë tetë asistime. Edhe këtë sezon, Lopez tashmë ka regjistruar 10 gola dhe 10 asistime.

Gjatë verës pati sugjerime se Barcelona do të ishte e hapur për ta shitur Lopezin për të lehtësuar problemet me kufirin e pagave, ndërsa drejt fundit të afatit kalimtar Chelsea erdhi me një ofertë. Fermin e refuzoi atë në atë kohë, por u përfol se Chelsea vazhdonte të ishte i interesuar për të.

Marrëveshja e re e Barcelonës për Lopezin raportohet se i garanton atij një rritje të konsiderueshme të pagës dhe ia zgjat kontratën edhe për dy vite të tjera, ndonëse kontratën e fundit e kishte nënshkruar më pak se dy vite më parë. Kjo duket se i jep fund interesimit të Chelseat. Klauzola e re e lirimit të tij është vendosur në 500 milionë euro.

Me Raphinhan dhe Dani Olmon që kanë munguar për periudha të gjata për shkak të lëndimeve këtë sezon, golat e Lopezit dhe Marcus Rashfordit janë bërë gjithnjë e më të rëndësishëm për Barcelonën. Në total me fanellën blaugrana, reprezentuesi i Spanjës ka shënuar 29 gola dhe ka dhënë 22 asistime në 114 paraqitje. Sipas mesatares së minutave të luajtura, ai ka një rekord të jashtëzakonshëm: një kontribut në gol çdo 109 minuta.

Lopez është i vetëdijshëm për konkurrencën e madhe për vendet në përfaqësuesen e Spanjës dhe do të luftojë për një vend në Kupën e Botës këtë verë. Veçanërisht me Olmon, i cili është një nga rivalët e tij kryesorë për pozitën e numrit 10, si te klubi ashtu edhe te kombëtarja.