Mesfushori i Kosovës, Elvis Rexhbeçaj, do të largohet nga Augsburgu në verë.

Këtë e ka bërë të ditur revista e njohur gjermane, Kicker.

Ai startoi të dielën, por u zëvendësua pas pjesës së parë në humbjen 5:2 nga Stuttgarti. Në pesë ndeshjet e mëparshme, 28-vjeçari luajti si zëvendësues.

Rexhbeçaj ka kontratë deri në verë me Augsburgun dhe ajo nuk pritet t’i vazhdohet.

Te kjo skuadër është prej vitit 2022. Këtë edicion i ka luajtur 24 ndeshje në Bundesligë, ndërsa i ka realizuar dy gola.

Gjithsej në elitën gjermane i ka 210 paraqitje, 12 gola e nëntë asistime. Në Bundesligë është paraqitur edhe me Wolfsburgun, Kolnin dhe Bochumin.

Një vit më parë klubi i bëri ofertë Rexhbeçajt, por u bënë ndryshime në menaxhment dhe më pas mundësia e vazhdimit të bashkëpunimit është zbehur.

Kicker ka shkruar se Rexhbeçaj ka oferta nga klube të tjera gjermane, por edhe klube jashtë Gjermanisë.

Ai aktualisht është i grumbulluar me Kosovën për ndeshjen e së enjtes ndaj Sllovakisë.