Gazeta “The New York Times”, pas shkrimit paralajmërues një ditë më parë para finales së ‘Play-off’ për kualifikim në Botëror, që Kosova e humbi (0-1) të martën mbrëma (31.03.2026) nga Turqia në stadiumin “Fadil Vokrri”, e ka përshkruar në një tjetër shkrim atmosferën në Prishtinëdhe ka analizuar lojën më të rëndësishme të “Dardanëve” pas pranimit në UEFA e FIFA më 2016.

Megjithatë, gazeta e njohur amerikane vlerëson se pavarësisht thyerjes së zemrave të “Dardanëve” pas disfatës ku patën disa mundësi shënimi, Kosova do ta rimarrë shpejt veten për shkak të cilësisë në fushë dhe mbështetjes së madhe të tifozëve gjithandej.

Gazeta ka përshkruar sesi disa tifozë të Kosovës u munduan t’ua prishin gjumin lojtarëve turq, të vendosur në një hotel në qendër të kryeqytetit, me shpresën se do të ndikonte në paraqitjen e tyre në fushë.

“Filloi me një shpërthim, ose më saktë me dhjetëra shpërthime, përmes dy breshërive fishekzjarrësh të fuqishme që të hapnin veshin, të cilët ndriçuan errësirën kur u hodhën pranë hotelit të Turqisë në orën 1 të mëngjesit natën para ndeshjes” – shkruan “The New York Times”.

Mikpritje për tifozët  

“Prishtina u ofroi mikpritje të ngrohtë tifozëve turq, por mikpritja nuk u zgjat deri në një gjumë të mirë për ekipin e tyre. Tifozët vendas u përpoqën të përdornin çdo avantazh që mund t’i jepnin ekipit të tyre jofavorit në këtë përpjekje historike për kualifikim për herë të parë Kupën e Botës” – shtohet në shkrimin për “thyerjen e zemrës së nikoqirëve, por sa të mirë ishin Yildiz e Guler”, duke iu referuar Kenan Yildizit të Juventusit dhe Arda Gulerit të Real Madridit, të cilët ishin yjet më të mëdhenj të turqve.

Në krye të analizës, autorët merren hollësisht me lojën e Yildizit dhe Gulerit pasi Turqia tashmë është në të njëjtin grup më Australinë, Paraguain dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që bashkë Kanadanë dhe Meksikën janë vende nikoqire të Kupës së Botës që nis më 11 qershor.

NYT-i pastaj përshkruan atmosferën e krijuar për atë që ishte ndoshta ngjarja më e rëndësishme sportive në historinë e Kosovës.

Deri në orën 8 të mëngjesit, punëtorët po përgatisnin sheshin qendror, “Zahir Pajaziti”, i emërtuar për nder të komandantit dëshmor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një ekran gjigant televiziv u ngrit për mijëra mbështetës që nuk do të gjenin një vend në stadiumin “Fadil Vokrri” me kapacitet prej 13 mijë vendesh, shkruan gazeta njujorkeze.

“Të tjerë u ulën në ballkonet e blloqeve të apartamenteve përballë sheshit që ta shihni më mirë ekranin e madh. Furgonët e shpërndarjes sollën arka me birrën lokale ‘Peja’ për ata që u dyndën në qendër për të rënë daulle, për të kënduar këngë patriotike dhe për të pritur me nervozizëm fillimin e ndeshjes”, shkruan NYT, duke përshkruar edhe lidhjet e fuqishme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që patën rol vendimtar gjatë luftës dhe për Pavarësimin e Kosovës nga Serbia më 2008.

“Thank you, USA”

“Të gjithë ishin të dëshpëruar që ekipi i tyre të kualifikohej për turneun në SHBA, pjesërisht sepse shumëkush në vend ende ka dashuri të thellë për rolin e saj në historinë e Kosovës. Prishtina ka bulevardin ‘Bill Clinton’, një shtatore të presidentit dhe një nga këngët popullore të kënduara para fillimit të ndeshjes ishte ‘Thank you, USA’.

E gjitha është frymëzuar nga roli kryesor i administratës Clinton në ndërhyrjen vendimtare të NATO-s në Luftën e Kosovës në vitin 1999”, shkruan gazeta më e madhe amerikane, teksa vlerëson lojën sulmuese të Kosovës kundrejt Turqisë.

Gjatë ditës së djeshme, flamujt amerikanë ishin vendosur krah atyre të Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në shenjë falënderimi për mbështetjen e vazhdueshme amerikane.

Gjatë së martës, edhe Ambasada amerikane shprehu përkrahjen e fuqishme për Kosovën me urimin dhe besimin se “Dardanët” mund të korrnin sukses dhe të prisnin biletën për Botërorin.

Në rast kualifikimi, Kosova do të përballej në fazën grupore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 25 qershor në Los Anxhelos. Ambasada amerikane publikoi në Facebook disa fotografi me mbështetjen për kombëtaren e Kosovës.

Në foton kryesore shihet e veshur me fanellën e ekipit të Kosovës, Anu Prattipati, e ngarkuara me punë në Ambasadë të SHBA-së në Prishtinë. “Të gjithë ne në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara ju përkrahim – luani fort dhe bëjeni Kosovën krenare!” – thuhet në postimin e Ambasadës amerikane në Facebook.

“Performanca e tyre e guximshme në pjesën e parë rriti edhe më tej shpresat. Kur gjuajtja e Asllanit u ndal në traversë pas pritjes nga Çakir, nivelet e decibelëve ishin po aq të larta sa të fishekzjarrëve të mëhershëm” – përshkruan “The New York Times” pritjen vendimtare të gardianit turk në fund të pjesës së parë.

“Megjithatë, sa më shumë që po zhvillohej loja, aq më shumë Turqia filloi të dominonte. Pati një mësymje në fund që rriti shkurtimisht shpresat e vendasve, por nuk solli rezultat. Kosova do të kthehet, por kjo ishte një natë zemërthyerjeje në Prishtinë”, mbyllet shkrimi i “The New York Timesit”./kallxo.com