Talenti i madh i Barcelonës, Pedri, debutoi mbrëmë në Ligën e Kampionëve në moshën 17 vjeçare në fitoren kundër kampionit hungarez, Ferencvaros, shkruan VAR Kosova.

Pedri e bëri debutimin nga banka rezervë në minutën e 63 kur e zëvendësoi talentin tjetër Ansu Fati.

Golin e parë në karrierë në Ligën e Kampionëve e shënoi 19 minuta pasi u inkuadrua në ndeshje, duke e bërë edhe më magjik debutimin e tij në garën më të fortë evropiane për klube.

Pedri tregoi madhështinë e tij pas ndeshjes, duke u larguar nga stadiumi “Nou Camp” me një taksi lokal, përkundër se ka vetura luksoze apo edhe mund të ketë shofer personal.

Ky veprim i tij ka bërë bujë në rrjetet sociale, duke e lavdëruar futbollistin spanjoll i cili po konsiderohet një ndër talentet më të mirë për të ardhmen.

Mesfushori sulmues në këtë sezon është inkuadruar në skuadrën e parë të Barcelonës. Deri më tani në La Liga ka zhvilluar katër ndeshje.

Barcelona e nisi sezonin e ri të Ligës së Kampionëve me fitore 5:1. /VAR Kosova/