“Sa i përket shkarkimit të Bernard Challandesit, nuk jemi në atë fazë. Do ta shohim kë e kemi kundërshtar në shortin e Botërorit dhe më pas do të ulemi e të bisedojmë”.
Kështu kishte thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi më 21 nëntor të këtij viti në “Radio Kosova”, kur ishte pyetur në lidhje me të ardhmen e përzgjedhësit të Kosovës.
Tashmë shorti është hedhur. Kosova ka mësuar kundërshtarët e saj, derisa është renditur në grupin B me kundërshtarë jo edhe të lehtë.
Saktësisht, “Dardanët” kanë punë me ish-kampionin e botës dhe Evropës, Spanjën, Greqinë, Suedinë dhe Gjeorgjinë.
“Zeri.info” e ka kontaktuar kryetarin e FFK-së, Agim Ademi për ta pyetur nëse Challandes do të vazhdojë ta drejtojë Kosovën edhe më tutje.
“Me Challandesin kemi kontratë, dhe do të vazhdojmë. Ndërsa, me trajnerët e grupmoshave, pas përfundimit të cikleve eliminatore, do të vendosim. Çdo trajner e mbanë rezultati”, deklaroi të hënën për “Zeri.info” Agim Ademi.




























