Jerôme Rothen, ish-lojtar i Monacos dhe bashkëpunëtor i radios prestigjioz “RMC Sport”, ka rrëfyer një episod të pakëndshëm që i ka ndodhur me trajneri aktual të Real Madridit, Zinedine Zidane rreth 16 vite më parë.

Në atë kohë, Zizu ishte pjesë e Real “galaktik”, por që do të eliminohej pikërisht nga skuadra nga Principata në çerekfinale të kompeticionit. Më 6 prill të atij viti, në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Luigji II”, Monaco po fitonte 3-1 dhe Reali po eliminohej.

“Ajo që ndodhi me Zidane është një pikë e zezë në karrierën time. Ai më tha: çohu, bir kurve! Unë dhe Zidane njiheshim, pasi luanim bahskë në ekipin francez. Nuk e kuptova se çfarë ndodhi në atë kohë, sepse kishim një marrëdhënie të mirë. Ne po fitonim 3-1, ishim të kualifikuar për në gjysmëfinale, unë po vonoja lojën dhe Zidane kishte humbur topin. Ishte Real Madridi i “galaktikëve” që po eliminohej nga një Monaco e vogël,” – shpjegoi Rothen.

Rothen shtoi më vonë se ai kurrë nuk i kuptoi arsyet pse Zidane e ofendoi atë atë mënyrë:

“Unë mund ta kuptoj zhgënjimin, sepse ai ishte energjik, por nuk i kuptova këto lloj fjalësh nga dikush që e keni njohur, me të cilin jeni stërvitur në të njëjtën skuadër dhe me të cilën keni luajtur në përfaqësuese. Nuk po ju them që kemi qenë miqtë më të mirë në botë, por nuk i kuptoj fyerjet nga dikush me të cilin keni luajtur në ekipin kombëtar.”