Lionel Messi është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen finale të Superkupës së Spanjës mes Barcelonës dhe Athletic Bilbaos.
Kapiteni i katalunasve u ndëshkua me karton të kuq në minutën e fundit të kohës shtesë, pasi goditi një kundërshtar me grusht.
Ylli argjentinas mori kartonin e parë të kuq në karrierë me fanellën e Barcelonës në 753 ndeshje të luajtura, por grushti që i dha kundërshtarit pas koke mund të rrezikojë shumë.
Por kjo nuk është më e keqja sepse kapiteni i katalanasve mund të përjashtohet për 4 ndeshje të cilat janë të vlefshme për La Ligën apo Kupën e Mbretit.
Nëse Barcelona do të kualifikohet kundër Cornellas në Kupë, atëherë ndeshjet që do të humbasë janë dy në kampionat dhe dy në Kupë.
Sipas rregullores së La Ligas, veprimi i Messit konsiderohet si dhunë ndaj kundërshtarit dhe katër ndeshje është dënimi minimal.
“Të sulmosh një futbollist, qoftë edhe pa e lënduar atë konsiderohet si akt dhune dhe është i ndëshkueshëm dhe penalizohet me katër deri në 12 ndeshje pezullim nga aktiviteti”.
“Nëse ky veprim ndodh në një ndeshje të Superkupës së Spanjës, atëherë dënimi do të shlyhet me mos prezencë në fushën e lojës apo në stol në ndeshjet pasardhëse të garave të tjera në Spanjë”, shkruhet në rregulloren e La Ligas.
Ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar, por Barcelona mbetet në ankth pasi lojtari i tyre më i mirë mund t’iu mungojë gjatë.