Achraf Hakimi ishte goditja e madhe e Interit në merkaton e verës së kaluar. Zikaltrit arritën akordin me Real Madrid për transferimin e anësorit të djathtë nën urdhrat e Contes për shumën e 40 milion eurove.
Klubet ranë dakord që pagesa të kryhej me katër këste. I pari duhej paguar në dhjetorin që lamë pas, por Interi nuk ia ka dalë të derdhë 10 milion eurot në arkat e “Los Blancos”.
Situata ekonomike në klubin italian është e vështirë. Italianët bënë të ditur të shtunën e kaluar se kanë arritur akordin me Realin për shtyrjen e pagesës së parë për në 30 mars.
Corriere dello Sport raporton se te Reali pretendojnë se marrëveshja me Interin, megjithëse e zyrtarizuar me një letër të nënshkruar, duhet të ishte shoqëruar me një seri garancish.
Në kushte të tilla, Florentino Perez po tenton të rikthejë lojtarin në Madrid. Presidenti është penduar që e la të lirë marokenin, i cili po shkëlqen tek ekipi i Contes.