Arsenali ka fituar derbin e Londrës së Veriut kundër Tottenham me rezultat 2:1, në ndeshjen që u zhvillua në kuadër të Premier Ligës Angleze.
Skuadra vendëse e nisi ndeshjen me presion të lartë duke krijuar raste por ishin mysafirët që shënuan të parët.
Lamela e kaloi në epërsi Tottenhamin në minutën e 33-të me një gol të jashtëzakonshëm, pas asistimit nga Lucas.
“Topçinjtë” gjetën motivin dhe barazuan rezultatin në minutën e fundit të kohës së rregullt të pjesës së parë me talentin norvegjez, Martin Odegaard.
Goli i fitores për “Gunners” u realizua pas më shumë se një ore lojë, saktësisht në të 64-tën me autor francezin, Alexandre Lacazette që nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë nga pika e bardhë e penalltisë.
Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka luajti tërë ndeshjen në “Emirates”, teksa u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 82-të.
Arsenali me këtë fitore ndodhet në vendin e dhjetë me 41 pikë, kurse “Spurs” janë në pozitën e shtatë me 45 pikë.