Gjermani Felix Magath i është kthyer zejes së trajnerit pas një pushimi të gjatë. Magath është trajner shumë i suksesshëm, ndërsa ishte kandidat për ta drejtuar përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Vet Magath kishte konfirmuar kontaktet me drejtuesit e FFK-së.
FFK-ja vendosi për francezin Alain Giresse, ndërsa Magath të dielën u emërua trajner i skuadrës gjermane Hertha Berlin. Do ta drejtojë Herthan deri në fund të edicionit aktual.
“Kam pasur diskutime të hapura dhe të qarta me Fredi Bobiq. Jemi të gjithë të vetëdijshëm për situatën dhe jam i lumtur ta ndihmojë Herthan për të arritur synimin që të mbetet në elitë. Tani është e rëndësishme që të gjithë të jemi të fokusuar në tetë ndeshjet e ardhshme:, ka thënë Magath.
Magath 68-vjeçar në të kaluarën ka drejtuar skuadrat më të mëdha gjermane. Së fundi ishte i angazhuar në vitin 2017 te Shandong Luneng në Kinë.





























