Pas barazimit në udhëtim tek Izraeli, Kosova po kërkon fitoren e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.Kosova të shtunën luajti 1:1 në

Tel-Aviv, ndërsa sot e pret Përfaqësuesen e Andorrës. Dueli mes Kosovës dhe Andorrës zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 20:45 dhe i takon Grupit I. Te “Dardanët” optimizmi ishte i madh të hënën, një ditë para përballjes me Andorrën.

Për dallim prej Kosovës që e mori një pikë në ndeshjen e parë kualifikuese, Andorra u mposht në shtëpi, 2:0 nga Rumania.

Selektori i Kosovës, Alain Giresse, e ka quajtur pozitiv rezultatin e arritur ndaj Izraelit, ndërsa beson në fitore kundër Andorrës. Ai ka thënë se pavarësisht kundërshtarit në fushë, pret paraqitje të mirë dhe serioze të ekipit.

“Vijmë nga një rezultat pozitiv në Izrael, ndërsa këtë seri pozitive synojmë ta vazhdojmë me fitore ndaj Andorrës. Mendoj se rezultati është pozitiv edhe pse mund ta fitonim ndeshjen. Konsideroj se paraqitja e ekipit ishte e pjekur dhe bazuar në të gjitha gjërat, mund të them se rezultati në Izrael ishte pozitiv”, ka thënë Giresse. “Gjithsesi ne futemi për fitore sikurse në çdo ndeshje tjetër. Kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe besoj se do të marrim pikët e plota. Edhe lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, pasi nuk është gara e parë që po e luajnë. Ata e kanë parasysh se pjesëmarrja në Evropian varet nga maksimumi që e japin në çdo ndeshje dhe pikët që i grumbullojnë”.

“Nuk kam dëshirë të jap detaje sa i përket formacionit, pasi nuk dua që kundërshtari të marrë shumë informata në lidhje me këtë pjesë. Andorra nuk duhet nënçmuar në asnjë mënyrë edhe pse është ekip i vogël. Pak ka rëndësi kush është kundërshtari, duke pasur parasysh kualifikimet që luajmë. Pra, duhet t’i qasemi lojës me seriozitetin më të madh dhe sigurisht ta fitojmë”, është shprehur Giresse.