Juventusi ka marrë një fitore të vështirë në shtëpi përballë Lacios, sfidë e vlefshme për javën e 8 të Serisë A. Ndeshja e zhvilluar në Torino, përfundoi 1-0 në favor të vendasve.

Ndeshja nuk nisi aspak mirë për miqtë lacialë, të cilët mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 24. Ishte qendërmbrojtësi Alesio Romanjoli që la në “baltë” të tijtë.

Megjithatë, goli nga “Zonja e Vjetër” erdhi vetëm në minutën e 85. Më saktë goli iu dhurua, pasi kishim të bënim me një autogol nga Mario Gila. Ky i fundit “fiku” ekipin e tij, duke u hequr pikë të rëndësishme në një transfertë delikate.

Me këtë fitore Juventusi shkon në kuotën e 16 pikëve në vendin e dytë në tabelën e renditjes, duke parakaluar Milanin dhe Interin. Në krahun tjetër, Lacio mbetet me 13 pikë në vendin e 5.