Kur Hansi Flick kishte vetëm disa ditë trajner i Barçës, ai u pyet mbi aftësinë e ekipit të tij për të synuar titullin e La Liga-s karshi një Real Madridi, potenciali i të cilit, tashmë i dukshëm, ishte rritur në mënyrë eksponenciale falë nënshkrimit të Mbappe.

Gjermani u përgjigj me sensin e tij të zakonshëm, atë që shfaq në çdo konferencë shtypi: “Janë vetëm dy ndeshje direkte me Real Madridin, duhet të luajmë edhe shumë të tjera”. Ai shtoi se “çdo ndeshje është sfidë më vete, që na lejon të ecim përpara”.

Kështu ka ndodhur deri më sot, sepse Barça vjen si kryesuese e La Liga-s në klasiken e parë zyrtare të sezonit, duke pësuar vetëm një humbje në kampionat, në Pamplona. E megjithatë, në këta muajt e parë, Flick ka mundur të perceptojë se kjo, sado që numerikisht vlen 3 pikë, nuk është thjesht një ndeshje si të tjerat.

Flick e drejtoi seancën stërvitore para duelit në “Bernabeu” në një atmosferë entuziaste, diçka që tregon se për trajnerin gjerman nuk ndryshon asgjë. Në fakt, gjithçka tregon se formacioni startues që do të prezantojë kundër “Los Blancos” mund të jetë pikërisht i njëjti që mposhti thellë Bayern Munich të mërkurën, në Champions League.