Legjenda rumune Ilie Dumitrescu ka porositur tifozët që do të jenë të pranishëm në “Arenën Kombëtare” të Bukureshtit të premten ta duartrokasin himnin e Kosovës.

Ndeshja Rumani – Kosovë luhet të premten nga ora 20:45 dhe i takon Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Ka pasur frikë se mund të përsëriten tensionet e shtatorit të vitit 2023, kur në përballjen mes këtyre dy shteteve, tifozët rumunë shfaqën parulla e kënduan kundër Kosovës, për çka u ndërpre ndeshja për 40 minuta.

Por ish-reprezentuesi rumun Dumitrescu, që ka luajtur edhe për Tottenhamin e West Hamin, do që tifozët e pranishëm t’u japin mësim kosovarëve si “hakmarrje” për fishkëllimat që patën lojtarët rumunë në “Fadil Vokrri” para dy muajve.

“Po mendoja për një skenar: kur të këndohet himni i popullit të Kosovës, le të duartrokasin të gjithë. Pra, si përgjigje për atë që kanë bërë (fishkëllimat në Prishtinë). Kjo është më e drejta. Ata na ofenduan, ne duhet t’i duartrokasim, diçka kështu, një mësim. Kështu do të më pëlqente”, ka thënë Dumitrescu, në digisport.ro.

Edhe trajneri i Rumanisë, Mircea Lucescu, i ka bërë thirrje rumunëve që të përmbahen nga provokimet në stadium.

Rumania është e para me 12 pikë, Kosova e dyta me nëntë pikë, kurse Qiproja në vendin e tretë me tri pikë. E fundit pa pikë është Lituania, kundërshtarja e fundit e Kosovës.