Në Islandë është pritur mirë shorti i plejofit të Ligës së Kombeve ndaj Kosovës.

Mediat islandeze kanë shkruar se nga gjithë kundërshtarët e mundshëm, Kosova është më e dobët në krahasim me përfaqësueset e tjera.

Ata kanë marrë për bazë renditjen në ranglistën e FIFA-s.

Nga renditja e fundit e FIFA-s, e përditësuar më 24 tetor, Kosova renditet në vendin e 101-të.

Para Kosovës është Armenia që zë vendin e 99-të. Bullgaria zë vendin e 84-t, ndërsa Sllovakia është e 41-ta. Të gjitha këto shtete mund të përballeshin me Islandën.

“Islanda do të takohet me Përfaqësuesen e Kosovës dhe do të luftojë për të mbetur në Ligën B. Islanda përfundoi në vendin e tretë në grupin e vet në Ligën B. Islanda do të mund të ballafaqohej edhe me Sllovakinë, Bullgarinë dhe Armeninë. Këto skuadra konsiderohen më të forta se Kosova, që zë vendin e 101-të në ranglistën e FIFA-s”, ka shkruar mediumi “Mannlif.is” pas shortit.

Ky medium islandez ka përmendur edhe disa lojtarë të Kosovës, të cilët vlerësohen prej më të rrezikshmëve aktualisht.

“Lojtarët më të njohur të Kosovës janë Edon Zhegrova, lojtari i Lillet në Francë. Vedat Muriqi, lojtari i Mallorcas në Spanjë dhe Amir Rrahmani, lojtari i Napolit në Itali. Franco Foda është përzgjedhës i Kosovës, por ka qenë anëtar i Gjermanisë dhe e ka udhëhequr Austrinë dhe Sturm Grazin për një kohë si trajner”, ka shkruar mediumi islandez.

Në Islandë po ashtu po flitet për largimin e selektorit aktual, Age Hareide.