Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është shprehur optimist se Kosova mund ta kalojë Islandën për t’u ngjitur në Ligën B.

Kosova dhe Islanda do të ballafaqohen në plejofin për inkuadrim në Ligën B. Ndeshja e parë luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më 20 mars të vitit të ardhshëm, ndërsa tri ditë më vonë, Islanda është nikoqire.

“Shortin e konsideroj korrekt edhe pse me Islandën kemi zhvilluar dy ndeshje të cilat i kemi humbur. Por tash është një format tjetër i ekipit tonë dhe unë vetëm uroj që futbollistët tanë të jenë me kondicion të mirë, me shëndet të mirë, mos të ketë lëndime dhe sigurisht as të dënuar me kartonë. Shpresoj dhe besoj shumë që në mars të fillojmë me fitore në ndeshjen e parë dhe sigurisht që do të shkojmë tashmë vetëm për fitore. Këto janë kualifikuese dhe ekipi që fiton do të shkojë më tej. Mendoj që Kosova ka ekip dhe ka potencial për të shkuar më tej”, ka thënë kryetari i FFK-së.