Raportet nga Italia sugjerojnë se Juventusi është i gatshëm të shesë mesfushorin Nicolo Fagioli gjatë merkatos së janarit, me ekipin francez Marseille që kryeson garën për nënshkrimin e lojtarit të kombëtares italiane.
Përveç Marseille, Napoli dhe disa klube të Premier League gjithashtu po monitorojnë situatën e tij.
Fagioli është një nga tre lojtarët që Juventusi mund të largojë, së bashku me Danilo dhe Samuel Mbangula, për të mbledhur fonde për përforcime të reja.
Klubi torinez po kërkon të sigurojë një mbrojtës pas dëmtimeve serioze të Bremer dhe Juan Cabal, si dhe një sulmues që mund të konkurrojë me Dusan Vlahovic.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Juventusi kërkon një tarifë prej 25 deri në 30 milionë euro për të shitur Fagiolin në mënyrë të përhershme.
Marseille ka shprehur interes konkret dhe besohet se Fagioli është i hapur për t’u bashkuar me ish-shokun e skuadrës Adrien Rabiot dhe trajnerin Roberto De Zerbi.
Ndërkohë, Napoli mbetet një konkurrent serioz për transferimin, duke shfrytëzuar lidhjet e mira mes drejtorit sportiv të Napolit, Giovanni Manna, dhe Juventusit.
Në listën e klubeve të interesuara janë përmendur edhe Paris Saint-Germain dhe disa ekipe të Premier League, shkruan Football-italia.net, përcjell Klankosova.tv.
Juventusi, pas shpenzimeve të mëdha gjatë verës, ndodhet në vështirësi financiare dhe duhet të shesë lojtarë për të siguruar burimet e nevojshme për përforcime. Merkatoja e janarit pritet të jetë vendimtare për planet e klubit.