Augsburgu ka luajtur baras me rezultat 2-2 në udhëtim ndaj Eintracht Frankfurtit në kuadër të javës së 13-të në elitën e futbollit gjerman.

Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit që realizuan në minutën e 55-të për 1-0 përmes Hugo Ekitikes.

I shpejtë ishte reagimi i Augsburgut të cilët realizuan në minutën e 60-të për rezultatin 1-1 përmes Philip Tietz i cili u asistua pikërisht nga Rexhbeçaj.

Deri në përfundim të ndeshjes të dy ekipet shënuan nga një gol dhe në fund u desh të pajtoheshin me nga një pikë secila.

Për paraqitjen e tij të mirë në këtë sfidë, Rexhbeçaj mori notën 7.4 nga Sofascore që ishte më e larta së bashku me Philip Tietz që pati notën e njëjtë.

27-vjeçari përveç asistimit, pati 23 pasime të kompletuara, tri duele të fituara, dy spastrime të topit nga zona dhe tri ndërhyrje.

Për Rexhbeçajn kjo ishte paraqitja e tij e 12-të në Bundesliga këtë sezon dhe që të gjitha i ka nisur nga minuta e parë, teksa ka një gol të shënuar dhe një asistim.