Të premten, nga ora 12:00, tërhiqet shorti i kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2026 në futboll. Kosova është në vazon e katërt. Për Kosovën do të jetë hera e tretë që paraqitet në kualifikimet për Botëror. Dy kampanjat e para ishin plot ngjarje e sfida, shumë prej të cilave nuk i kishin përfaqësueset e tjera
Me plot zhvillime ishin për Kosovën dy ciklet e deritashme kualifikuese për Kupën e Botës në futboll. Përfaqësuesja e Kosovës debutoi në skenën ndërkombëtare në kualifikimet për Botërorin 2018.
Pas pranimit në UEFA e FIFA, Kosova u vendos në Grupin I, pasi shorti tashmë ishte tërhequr. Por, ende pa nisur gara nisën zhvillimet. Konfederata Evropiane e Futbollit vendosi që Kosova të mos jetë në një grup me Bosnjë-Hercegovinën për arsye sigurie. Dhe ndaloi ndeshjet e Kosovës me Bosnjë-Hercegovinën e Serbinë, e ndërkohë edhe me Rusinë.
Me sfidat që nuk i kishin përfaqësueset e tjera, Kosova nisi të përballej që në ndeshjen e dytë. Ndeshja Kosovë – Kroaci u zhvillua më 6 tetor 2016. Kosova ishte vendase por ndeshja u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, pasi vendi në atë kohë nuk kishte asnjë stadium të denjë. Në Shkodër i luajti të gjitha ndeshjet si vendase në kualifikimet e para.
Më 9 tetor 2016, Kosova luajti në udhëtim ndaj Ukrainës. Por jo në Ukrainë. Ndeshja u zhvillua në Krakow të Polonisë, në praninë e 999 shikuesve. Nuk u lejuan as 1.000 shikues. Në Ukrainë nuk kishte luftë atëbotë, por Kosova u detyrua të luante vend neutral pasi Ukraina nuk njihte (dhe nuk njeh) shtetin e Kosovës dhe nuk njihte pasaportën e saj. Për shumë vjet Ukraina nuk ka lejuar hyrjen e sportistëve kosovarë në territorin e saj.
Një tjetër e veçantë i kishte ndodhur Kosovës në Zagreb. Ndeshja me Kroacinë kishte nisur më 2 shtator 2017 dhe kishte përfunduar më 3 shtator, pasdite. Më 2 shtator ndeshja ishte ndërprerë për shkak të reshjeve të mëdha dhe kishte vazhduar të nesërmen.
Atë kampanjë kualifikuese Kosova e përfundoi me vetëm një pikë dhe në vendin e fundit në grup.
Komplikime edhe më të mëdha të natyrës politike u paraqitën në kualifikimet për Kupën e Botës 2022. Kosova në grup kishte përfaqësuese të tri vendeve që nuk e njohin shtetin e Kosovës: Spanjës, Greqisë dhe Gjeorgjisë.
Ndërkohë kampanja kualifikuese u zhvillua në kohën e pandemisë COVID-19. Ndeshja e parë e “Dardanëve” ishte në “Fadil Vokrri” më 28 mars 2021. Në stadiumin e zbrazët, për shkak të pandemisë, Kosova humbi 3:0 nga Suedia.
Menjëherë, më 31 mars 2021, Kosova luajti në Sevilla ndaj Spanjës, sërish pa shikues. Spanja bëri diskriminime të shumta sa i takon prezantimit të Kosovës. Ndër të tjera, në transmetim televiziv e shkroi “kos” (me shkronja të vogla), derisa e shkroi me shkronja të mëdha ESP.
Ministria e Sportit e Spanjës dhe Federata spanjolle kishin përcaktuar kushtet se si do të transmetohej ndeshja. Ideja ishte që ndeshja të paraqitej si duel i një shteti, Spanjës, me një federatë, Kosovës.
“Spanja takohet me ekipin e Federatës së Futbollit të Kosovës duke pritur se nuk do të vuajë aq shumë sa në dy takimet paraprake”.
Me këtë fjali nisi transmetimin komentatori i ndeshjes Juan Carlos Rivero. Qëllimi i parë, për të mos përmendur emrin “Kosova” u arrit. Madje ishte provuar edhe termi “territori i Kosovës”, por që ngjalli reagime të shumta në Kosovë, pas një postimi që më 9 mars.
Gjatë transmetimit më së shumti u përdor termi “ekipi kosovar”. Pati edhe plot shkelje të tjera gjatë transmetimit të ndeshjes e po ashtu në shkrimet e Federatës spanjolle, ndërsa të gjitha ishin pjesë e një skenari të përgatitur nga përgjegjësit spanjollë.
Në shtator 2021, Kosova e priti Greqinë në “Fadil Vokrri”, ndërsa u lejuan 1.200 tifozë në stadium, aq sa ishin edhe ndaj Spanjës pak ditë më pas. Masat ndaj pandemisë po zbuteshin gradualisht.
Sërish Kosova pati kualifikime të pasuksesshme. Mbeti e fundit në grup me vetëm pesë pikë.
Përfaqësuesja e Kosovës të premten mëson kundërshtarët e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Në short do të jetë në vazon e katërt. Varet nga kundërshtarët që do të jenë në grup, nëse do të ketë komplikime të tjera. Por ato nuk përjashtohen, sidomos nëse përballet me përfaqësueset e vendeve që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Të tilla ka në tri vazot e para.
Në vazon e parë është Spanja, që ndërkohë ka zbutur qëndrimin ndaj Kosovës. Në vazon e dytë janë Ukraina, që tashmë të gjitha ndeshjet i luan në terren neutral, pastaj Rumania, Greqia, Sllovakia. Në vazon e tretë është Gjeorgjia, me të cilën Kosova nuk ka raporte diplomatike. Është edhe Bosnjë-Hercegovina, por FIFA nuk lejon ndeshjet ndaj saj.
Kur të tërhiqet shorti, ende në kujtesë do të jenë ngjarjet që ndodhën në Bukuresht muajin e kaluar në ndeshjen Rumani – Kosovë. Ajo ndeshje u vendos nga UEFA me rezultat 3:0 në të mirë të Rumanisë. Lojtarët e Kosovës e braktisën fushën në minutat shtesë, kur nga tribuna u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia”.
Rumunët u gjobitën rëndë, por ndeshja megjithatë u humb nga Kosova. Situata të ngjashme nuk përjashtohen as në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, që zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm.