Mesfushori Milot Avdyli është transferuar në kampionatin elitar të Ukrainës, te skuadra e Vorskla Poltavas.
Kështu ka njoftuar të premten skuadra e kategorisë së dytë të futbollit zviceran, Aarau.
22-vjeçari tek Aarau ishte transferuar para katër vjetësh nga Trepça ’89, ndërsa u kthye në njërin prej lojtarëve kryesorë të kësaj skuadre.
Avdyli, që së fundmi ishte edhe kapiten i Kosovës U21, ka zhvilluar 109 ndeshje në total për Aaraun, ndërsa ka kontribuuar me shtatë gola e dhjetë asistime.
Ai ka luajtur edhe për grupmoshat U16, U17 e U19 të Kosovës.
“Vendimi është pritur mirë nga të gjitha palët. Miloti, edhe pse e ka pëlqyer shumë Aaraun, na ka shfaqur dëshirën për ta bërë hapin e radhës në karrierë. Pasi është në fund të kontratës, oferta ishte atraktive për klubin dhe e pranuam transferimin e tij”, ka deklaruar drejtori sportiv i Aaraut, Elsad Zverotiq.
Sipas faqes “transfermarkt”, Vorskla për Avdylin ka shpenzuar 100 mijë euro.
Kontrata e tij me Aaraun skadonte më 30 qershor të këtij viti.
“Duam ta falënderojmë Milot Avdylin për përkushtimin ndaj klubit dhe i dëshirojmë më të mirën”, ka shkruar klubi helvetik.
Te skuadra ukrainase në të kaluarën kanë luajtur edhe shumë shqiptarë tjerë, prej tyre edhe Ismet Munishi, Armend Dallku, Debatik Curri, Ahmed Januzi, Alban Dragusha e Ardin Dallku.