Ndeshja më interesante e xhiros së 16-të të Ligue 1 të Francës pritet të jetë ajo mes Lillet dhe Nantesit.

Të shtunën nga ora 19:00, Lille është vendëse. Kësaj skuadre do t’i mungojë sulmuesi i krahut, Edon Zhegrova.

Zhegrova ende po vuan nga një lëndim muskulor dhe nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë skuadrën.

Lille, si në Ligën e Kampionëve po ashtu edhe në kampionatin francez po tregon paraqitje të mira.

Pas 15 ndeshjeve të luajtura këtë edicion në elitën e futbollit francez, renditet në vendin e katërt me 27 pikë.

Nantesi ka 14 pikë në vendin e 14-të dhe po lufton për mbetje në ligë.

Ndeshjet Saint-Etienne – Reims, nga ora 17:00, dhe Lyon – Montpellier, nga ora 21:00, do të zhvillohen po ashtu të shtunën.

Të dielën nga ora 15:00 do të zhvillohen ndeshjet Angers – Brest, Lens – Toulouse dhe Strasbourg – Auxerre.

Xhiroja e 16-të do të përmbyllet me ndeshjen Marseille – Le Havre që luhet të dielën nga ora 20:45.

Ndeshja e parë e xhiros së 16-të, mes Monacos dhe PSG-së, është zhvilluar që më 18 dhjetor. Fitore me rezultatin 4:2 ka shënuar PSG-ja. Parisi udhëheq në tabelë me 40 pikë nga 16 ndeshje. Monaco është e treta me 30 pikë, po ashtu nga 16 ndeshje.

Parisi e Monaco të dielën mbrëma luajnë për Superkupë të Francës. Ndeshja zhvillohet në Doha të Katarit. Për këtë arsye edhe ndeshja kampionale mes këtyre dy skuadrave u zhvillua më herët.