Me pak sekonda të mbetur deri në fund të ndeshjes dramatike mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit, Manuel Ugarte bëri një pasim mahnitës te Bruno Fernandes, që solli frikë në “Anfield”.
Ndeshja e së dielës mbrëma përfundoi 2:2 dhe shumë do ta kujtojnë për rastin e artë që e humbi mbrojtësi i Unitedit, Harry Maguire, në minutat shtesë. Por pasimi i Ugartes, derisa vraponte kah porta e tij, e që solli rrezik për portën e Liverpoolit, ishte kulmi i një paraqitjeje të shkëlqyer të uruguajasit. Me paraqitjen e së dielës, Ugarte tregoi se pse u prit me shumë optimizëm transferimi i tij i realizuar në shtator.
“Me kualitetin që shfaqi derisa kishte topin në pronësi, më ka befasuar paksa”, ka thënë ish-mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Scholes.
“Ai u paraqit më mirë se që kam pritur se do të paraqitet. Trajneri i Unitedit, Ruben Amorim, tha se Ugarte është paraqitur mirë te Sporting Lisbona, ndonëse ishte shumë i ri në moshë. Kështu që e njeh atë. Ky djalosh vërtet po e rrit vetëbesimin. Mendoj se bëri disa vendosje të mira, ka ndihmuar në defanzivë, ka ndihmuar në sulm dhe mendoj se e kishte qetësinë e duhur për ta mbajtur topin”, ka shtuar legjenda e Unitedit.
Barazimi 2:2 bëri që Unitedi të dal në vendin e 13-të në renditje. Është ende më afër zonës së rënies se zonës që dërgon në Evropë, por barazimi u përjetua si fitore. Skuadra më në fund luajti me intensitetin që Amorimi e kërkon prej se mori drejtimin e klubit në mesin e nëntorit.
23-vjeçari Ugarte ka lulëzuar nën drejtimin e trajnerit portugez dhe ndeshja e së dielës ishte tjetër rast për të heshtur kritikët që ishin të pamëshirshëm me komentet e tyre në ndeshjet e para për Unitedin.
Fillimi i zbehtë i Ugartes nën drejtimin e ish-trajnerit Erik ten Hag, bëri që legjenda holandeze, Marco van Basten të jetë prej kritikëve më të mëdhenjt. Ai e vlerësoi transferimin prej 41 milionë eurove nga PSG-ja si “idiotesk”.
Të dielën Ugarte i kishte 58 prekje të topit dhe një saktësi në pasime prej 88 për qind. U përball me sukses me mesfushën e Liverpoolit që përbëhej nga Alexis Mac Allister, Ryan Gravenberch dhe Curtis Jones.
Scholes vlerësoi vendimin e Amorimit për të nisur me Ugarten dhe Kobbie Mainoon në mesfushë, pasi Casemiro dhe Christian Eriksen u dominuan brutalisht në humbjen 2:0 të Unitedit nga Neëcastle Unitedi, gjashtë ditë më parë. Sipas Scholesit, ky ndryshim ishte vendimtar tek Unitedi.
“Mesfusha është zona më e rëndësishme dhe në ndeshjen e kaluar nuk kishim nivelin e kërkuar. E dinim se kemi një gjysmë shansi me Ugarten dhe Mainoon. Trajneri duhet të njoh lojtarët e tij. Ai duhet të startojë me lojtarët më të mirë”, ka thënë Scholes.
Unitedin tani e pret një udhëtim i vështirë tek Arsenali për ndeshjen e raundit të tretë të Kupës FA.
Mesazhi kryesor nga ndeshja e së dielës është se skuadra është dashur të luaj me intensitet të njëjtë edhe në të kaluarën.
“E vlerësoj më shumë këtë paraqitje se fitoren ndaj Manchester Cityt. Është kjo një mënyrë që duhet t’i përmbahet ekipi. Është standard i vënë”, ka thënë Scholes.