Atletico Madridi është duke kaluar formë të mirë këtë edicion në La Liga. Skuadra e Diego Simeones të dielën e ka mundësinë që të dalë në vendin e parë në tabelën e kampionatit spanjoll.
Atletico ka 13 fitore rresht në të gjitha garat, kurse të dielën nga ora 16:15 e pret Osasunan.
Ndeshja është e vlefshme për javën e 19-të.
Në rast të fitores, Atletico do të dalë në vendin e parë në tabelë.
Aktualisht Atletico është në vendin e dytë me 41 pikë nga 18 ndeshje.
Dy pikë më shumë i ka Real Madridi, që është lider. Barcelona ka 38 pikë në vendin e tretë.
Reali dhe Barça nuk do të zhvillojnë ndeshje kampionale këtë fundjavë, pasi të dielën nga ora 20:00 do të takohen në finalen e Superkupës së Spanjës.
Në fakt, Real Madridi e Barça i kanë zhvilluar tashmë ndeshjet e xhiros së 19-të. Që të jenë të lira për turneun e Superkupës, ndeshjet Mallorca – Barcelona dhe Athletic Bilbao – Real Madrid ishin zhvilluar më 3 e 4 dhjetor. Barça fitoi 5:1 ndaj Mallorcas, ndërsa Athletic Bilbao e befasoi Madridin duke e mposhtu 2:1.
Atletico për herë të fundit e fitoi titullin e kampionit në Spanjë në edicionin 2020/2021.
Të dielën nga ora 14:00 do të luhet ndeshja mes Las Palmasit dhe Getafes.
Të shtunën janë katër ndeshje, ndërsa xhiroja e 19-të mbyllet të hënën me ndeshjen Real Sociedad – Villarreal, nga ora 21:00.