Emir Bajrami ka dhënë dorëheqje nga posti i asistentit te skuadra e elitës së futbollit skocez, Aberdeen. 

Lajmin për dorëheqjen e Bajramit për shkak të arsyeve familjare, e ka bërë të ditur të shtunën “Sky Sports”. 

36-vjeçari iu bashkua Aberdeenit në verë bashkë me asistentin Christer Persson, për ta ndihmuar kryetrajnerin Jimmy Thelin. 

“Situata është shumë e vështirë dhe për të ardhur keq. Por ne e kuptojmë dhe e respektojmë vendimin e Emirit”, ka thënë Thelin. 

“Do të bënim edhe ne të njëjtën gjë po të ishim në pozitën e tij dhe i urojmë atij e familjes së tij më të mirën për të ardhmen”. 

Bajramin e ka falënderuar edhe klubi i Aberdeenit, që aktualisht zë vendin e katërt në kampionatin skocez me 34 pikë. Celticu është lider me 46 pikë.