Arijon Ibrahimoviqi është shumë afër që t’i bashkohet skuadrës së Lazios në Itali, ka shkruar të shtunën “Sky Sport” i Gjermanisë.
Vetëm disa detaje kanë mbetur për t’u qartësuar, shkruan tutje mediumi gjerman, duke shtuar se po mendohet huazimi i tij me opsionin për blerjen përfundimtare të tij.
Marrëveshja pritet të zyrtarizohet brenda pak ditëve.
19-vjeçari që luan si mesfushor dhe ka tipare sulmuese, ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2027.
Ibrahimoviqi është me prejardhje nga Kosova ndërsa u lind në Nurnberg.
Ai është pjesë e ekipit më të suksesshëm gjerman prej vitit 2018.
Në edicionin e kaluar, Ibrahimoviqi ishte i huazuar te Frosinone në Serie A dhe zhvilloi 18 ndeshje.
I shënoi dy gola dhe dhuroi një asistim.
Në edicionin aktual ka luajtur pak për ekipin e parë, gjithsej 16 minuta në tri ndeshje në total.
Ibrahimoviqi ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Gjermanisë, nga U16 deri në U20.