Manchester City lëshoi pikë të rëndësishme në kuadër të xhiros së 21-të të Premier Leagues, duke luajtur 2:2 me Brentfordin, ndonëse ishte duke udhëhequr 2:0 deri në minutën e 82-të. Phil Foden i shënoi golat për kampionin anglez në minutën e 66-të dhe 78-të. Por më pas vendësit shënuan golat e barazimit në minutën e 82-të dhe 92-të.
City tani po lufton për vendin e katërt në Premier League, që siguron plasmanin në Ligën e Kampionëve. Aktualisht nuk e mban as këtë pozitë.
Lojtarët e Manchester Cityt ishin të dëshpëruar pas fishkëllimës së fundit, ndërsa me të përfunduar ndeshja trajneri Pep Guardiola iu afrua mbrojtësit Joshko Gvardiol. Dukej që trajneri spanjoll ishte i pakënaqur me mbrojtësin kroat dhe i ka shpjeguar diçka në mënyrë shumë temperamente. Pas bisedës me Gvardiolin, Pep i është drejtuar portierit Stefan Ortega. Atij i mbajti një ligjëratë më të gjatë, duke bërë veprime të pazakonta. I është afruar te fytyra, e ka shtyrë gjatë komunikimit, e ka përqafuar disa herë disi dhe ia ka kapur kokën. Këto pamje janë transmetuar në televizion, ndërsa për këtë Guardiola është pyetur në konferencë për shtyp pas ndeshjes.
Pep Guardiola ka thënë se është i impresionuar me paraqitjen e të dyve.
“Kemi folur për atë se sa mirë ka luajtur. Ka luajtur ndeshje të jashtëzakonshme”, ka thënë Guardiola për mbrojtësin kroat.
“Kemi folur për një aksion, njëjtë me Ortegan. I kam thënë se ka luajtur mirë, që ka pasuar mirë për Erlingun dhe që jam veçanërisht i lumtur me këta dy”.
Në konferencë ka dhënë edhe disa përgjigje të tjera të pazakonta.
A je i kënaqur me një pikë ndaj Brentfordit, ishte një tjetër pyetje që iu bë.
“Po, është ashtu si është. Pra, është ashtu si është”, u përgjigj trajneri i famshëm.
Lidhur me transferime nuk e ka folur asnjë fjalë, ndërsa ka theksuar se Fodenin e zëvendësoi pasi ishte i lodhur.
Manchester City ka lëshuar shumë pikë në javët e fundit. Herë pas herë ka dhënë shenja të këndelljes, por sërish skuadra ka dështuar në ndeshje të rëndësishme. Dhe gjithë vëmendja ka qenë te trajneri Pep Guardiola që po e kalon periudhën më të vështirë prej se nisi punën në Angli.