Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) me seli në Lozanë ka konfirmuar ankesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) lidhur me vendimin e UEFA-s për ndeshjen Rumani – Kosovë, të zhvilluar më 14 nëntor në Bukursht. Ndeshja ishte ndërprerë në minutat shtesë kur rezultati ishte 0:0.

Pas një acarimi në fushë të lojtarëve, kishte thirrje “Serbia, Serbia” nga tifozë rumunë. Lojtarët e Kosovës lëshuan fushën, ndërsa disa prej tyre bënë veprime josportive ndaj tifozëve rumunë derisa po largoheshin. Ndonëse arbitri kërkoi që lojtarët të kthehen në fushë, te Kosova e refuzuan këtë. Arbitri dhe lojtarët e Rumanisë u kthyen në fushë rreth një orë më pas dhe arbitri dha shenjë për fundin e ndeshjes.

Apeli i UEFA-s e ka regjistruar ndeshjen e ndërprerë me rezultat 3:0 në të mirë të Rumanisë. E ka gjobitur Rumaninë me 128 mijë euro për shkelje të ndryshme, por ka vlerësuar se Kosova e braktisi ndeshjen. FFK-ja u gjobit me 6000 euro për faktin se pesë lojtarë të Kosovës morën kartonë të verdhë.

“Gjykata e Arbitrazhit Sportiv konfirmon ankesën e Federatës sw Futbollit të Kosovës kundër UEFA-s të paraqitur më 1 dhjetor 2024. Procedurat e CAS-it janë në vazhdim dhe konfidenciale dhe ne nuk mund të japim më shumë informacion për momentin”, shkruan në përgjigjen CAS-it për KOHËN të enjten.

FFK-ja nuk ka njoftuar se çka kërkuar. Gjasat që në CAS të rrëzohet vendimi i UEFA-s për regjistrim të ndeshjes me rezultat zyrtar, nuk vlerësohen shumë të mëdha. Ka shumë rrethana që shkojnë në disfavor të Kosovës, sidomos kërkesa e arbitrit që lojtarët të kthehen në fushë duke konsideruar që ka kushte për lojë.