Arnar Gunnlaugsson është emëruar të enjten përzgjedhës i ri i Përfaqësueses së Islandës, me të cilën Kosova në muajin mars do t’i ketë dy ndeshje.
Ndeshjet e plejofit për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve, Kosova i luan më 20 dhe më 23 mars.
Fillimisht do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë ballafaqohet me islandezët në Spanjë, përkatësisht në stadiumin “Enrique Roca” në Murcia.
51-vjeçari Gunnlaugsson e zëvendëson 71-vjeçarin Age Hareide, i cili u pensionua në muajin nëntor.
Ai ka qenë trajner i Vikingur Reykjavikut që prej vitit 2019.
Ish-sulmuesi në kohën aktive si futbollist, ka luajtur për skuadra të njohura si Feyenoord, Nurnberg, Bolton Wanderers, Leicester City e Stoke City, ndërsa ka edhe 32 paraqitje për Islandën.
“Po shikoj vetëm para për këtë detyrë emocionuese dhe sfiduese. Është nder i madh dhe përgjegjësi e madhe të jem përzgjedhës i Përfaqësueses së Islandës. Jam gati që ta marrë detyrën”, ka deklaruar Gunnlaugsson për faqen zyrtare të Federatës Islandeze të Futbollit.