Skuadra e Gjilanit do t’i zhvillojë katër ndeshje miqësore gjatë përgatitjeve për stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në Antalia të Turqisë.
Miqësoren e fundit do ta zhvillojë kundër Koresë së Veriut.
“Kombëtarja A e Koresë së Veriut do jetë kundërshtari i fundit në miqësoret parasezonale në Antalia të Turqisë. Takimi me aziatikët do të zhvillohet më 28 janar”, shkruan në njoftimin e klubit elitar të Kosovës.
FC Krumavrad nga Bullgaria, FC Kaysar dhe FC Elimai nga Kazakistani, janë tre kundërshtarët tjerë të ekipit që drejtohet nga trajneri Ardian Nuhiu.
Gjilani është njëri prej shumë klubeve të Kosovës që do të përgatiten në Turqi për stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.
Gjilani e mbylli stinorin vjeshtor në vendin e gjashtë me 21 pikë.