Kim Yeon-Su është njëri prej tifozëve të shumtë që sakrifikojnë për të parë nga afër futbollistët që i pëlqejnë.

Për jugkoreanin, futbollisti më i pëlqyer është sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova.

Yeon-Su, në një video të publikuar nga skuadra franceze Lille të premten, i tregon Zhegrovës për sakrificat që ka bërë për ta parë atë në një ndeshje nga afër.

Por, fatkeqësisht, Zhegrova është i lënduar dhe nuk u grumbullua për duelin ndaj Nicet të premten.

“Të dua shumë! Nuk dua që ti të largohesh nga klubi në këtë afat kalimtar. Të dua shumë! Unë zgjohem në orën 4 apo 3 të mëngjesit për t’i parë ndeshjet e tua. Më kujtohet ndeshja debutuese e jotja, kundër Paris Saint-Germainit. Ajo ndeshje ishte e shkëlqyer. Ju humbët, por je një lojtar shumë teknik, me aftësi të shumta. Mendoj se je lojtari më i mirë në gjithë ligën”, i ka thënë ndër të tjera Zhegrovës tifozi jugkorean që dukej shumë i emocionuar.

“I kam ruajtur paratë për gjashtë muaj dhe kam punuar nga nëntë orë në ditë, për gjashtë ditë rresht. Të dua Zhegrova!”, thotë ai, ndërsa Zhegrova i tregon se është i lënduar dhe se nuk mund të luajë.

Për Zhegrovën është ndeshja e pestë në të cilën nuk luan shkaku i lëndimit të muskulit aduktor.

 

Jugkoreani Yeon-su do të jetë i pranishëm në shkallët e stadiumit “Anfield” edhe për ndeshjen e Ligës së Kampionëve, Liverpool – Lille.

Nuk dihet nëse Zhegrova do ta lërë prapa lëndimin deri më 21 janar kur edhe zhvillohet ky ballafaqim.