Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, mund t’i mungojë skuadrës së Lillet për ndeshjen kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.

Zhegrova ka munguar të hënën në stërvitjen e fundit para ndeshjes që Lille e luan në “Anfield” kundër Liverpoolit, në kuadër të xhiros së shtatë të Championsit.

Ndeshja Liverpool – Lille luhet të martën dhe nis në ora 21:00.

“Lille e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para fluturimit për në Liverpool të hënën në mëngjes. Në atë seancë stërvitore mungoi Zhegrova, i cili po përballet me një lëndim duke e bërë të pamundur praninë e tij në Anfield”, shkruan të hënën “Yahoo Sports”.

Zhegrova 25-vjeçar i ka munguar Lillet në pesë ndeshjet e fundit për shkak të një lëndimi.

Ai ka qenë prej më të mirëve te skuadra e Lillet në ndeshjet e Championsit.

Ka shënuar një gol në pesë ndeshje. Po ashtu ka edhe një asistim, ndërsa katër gola i ka shënuar në 12 ndeshje të Ligue 1 të Francës.