Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) në vitin 2023 nuk përfitoi asnjë cent nga Ligji për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

FFK-së nuk i ishte lëshuar asnjë vërtetim për realizim të marrëveshjeve për sponsorizim gjatë atij viti.

Por në vitin 2024, Federata e Futbollit e Kosovës renditet e para sa i përket shumës së parave të përfituara nga marrëveshjet e sponsorizimit. Të hyrat për sport prej marrëveshjeve për sponsorizime ishin mbi 20 milionë euro, ndërsa FFK-ja kishte të hyra prej 1 milion e 120 mijë euro. Pos të hyrave nga marrëveshjet e sponsorizimit, FFK-ja ka të hyra milionëshe, kryesisht nga UEFA.

Pason Federata e Basketbollit e Kosovës, e cila ka përfituar dukshëm më shumë se në vitin 2023. Në vitin 2024 përfitoi 834 mijë euro nga marrëveshjet e sponsorizimit. Në vitin 2023 kishte të hyra prej 228 mijë euro.

Komiteti Olimpik i Kosovës përfitoi 322 mijë e 902 euro, ndërsa Komiteti Paralimpik i Kosovës 30 mijë euro.

Federata më e suksesshme në Kosovë, ajo e xhudos, ka përfituar më pak se në vitin 2023. Ka lidhur marrëveshje në vlerë prej 130 mijë euro.

Më pak se në vitin 2023 kanë përfituar edhe disa federata të tjera sportive të vendit.

Federatat e tjera, që janë më të vogla, kanë dukshëm më pak të hyra nga sponsorizimi.

Klubi i futbollit Prishtina kishte mbi një milion euro të hyra nga sponsorizimi gjatë vitit 2024.

Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Ballkani ka përfituar 840 mijë, kurse mbi një milion euro të hyra kishte edhe klubi i basketbollit Trepça.

Pra “kampione” sa i takon të hyrave nga ligji i sponsorizimit sa u takon klubeve janë FC Prishtina me saktësisht 1 milion e 117 mijë e 500 euro dhe KB Trepça me 1 milion e 113 mijë euro.

Shifrës prej një milioni i janë afruar edhe dy klubet e tjera të basketbollit, Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli.

Sigal Prishtina përfitoi 907 mijë e 400 euro, derisa Ylli 919 mijë euro.

Ylli ka lidhur marrëveshjen me shumën më të lartë nga të gjitha organizatat sportive. Plot 500 mijë euro përfitoi nga kompania “Frutex” e Suharekës për “zhvillim, zbulim të talenteve të reja dhe ngritjen e sportistëve të nivelit dhe shkathtësive”.

Ligji i Sponsorizimit është vetëm njëra prej mënyrave të financimit në sportin kosovar.

Zyra Kombëtare e Auditimit vjet prezantoi vërejtje të shumta lidhur me Ligjin për sponsorizimin në sport, si dhe procesin me të cilin realizohet sponsorizimi.

Bashkëpunimi i kompanive që financojnë me drejtues klubesh e në raste edhe të federatave nuk përjashton keqpërdorimin.