Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ende nuk e ka publikuar zyrtarisht kategorizimin e federatave sportive për vitin 2025. Por Komisioni për licencimin e federatave sportive, që funksionon në kuadër të MKRS-së, tashmë ka përgatitur një raport preliminar. Raporti është dorëzuar për shqyrtim në nivele tjera. Vërejtjet e mundshme do të shqyrtohen nga Komisioni dhe më pas pritet të bëhet publikimi i raportit. Raporti pritet të publikohet javën e ardhshme, ndërsa më pas federatat sportive kanë kohë të caktuar për ankesa.

KOHA ka parë raportin preliminar të komisionit, që megjithatë pritet të pësojë ndryshime ndërkohë. Në kategorinë A janë vetëm Federata e Xhudos së Kosovës, Federata e Volejbollit dhe Federata e Hendbollit. Xhudoja, që është sporti dukshëm më i suksesshëm në vend, është vlerësuar me 112.26 pikë. Volejbolli është vlerësuar me 89 pikë, ndërsa hendbolli me 86.8 pikë.

Në kategorinë B, sipas raportit preliminar, janë tri federata: e basketbollit, e futbollit dhe e karatesë.

FBK-ja është vlerësuar me 84.3 pikë, FFK-ja me 83.5 pikë dhe Federata e karatesë me 80.5 pikë.

Rënien më të madhe e ka pësuar boksi, sipas raportit preliminar, që tani është në kategorinë C. Madje pas pingpongut e mundjes. Federata e Pingpongut është vlerësuar me 73 pikë, e mundjes me 71.39 pikë dhe boksi me 66.1 pikë.

Vetëm në kategorinë D është “mbretëresha e sporteve” – atletika. Atletika është e para në kategorinë D me 62.7 pikë. Në D janë edhe federatat tjera. Pas atletikës janë federata e sportit shkollor (62.2), federata aeronautike (62), federata e notit (61.11), federata skitare (60.81). Pasojnë gjimnastika, ‘muay thai’, tenisi, kikboksi, taekwondo, triatloni, bodibildingu, shahu, badmintoni, ragbi, kajakimi, autosportet, shenjëtaria sportive, bjeshkataria, peshëngritja, sporti universitar, çiklizmi, golfi, motoçiklizmi, bilardo, boulingu, padeli, e-sports dhe pikado.

Shumë prej federatave vlerësojnë se meritojnë pozitë më të lartë.

“Boksi duhet të jetë prej federatave më të ranguara. Kategoria A as që duhet të vihet në dyshim. Nuk jemi llogaritur si sport olimpik, ndërkohë që pos xhudo dhe boksi janë paraqitur me normë në Lojëra Olimpike”, ka thënë një zyrtar i Federatës së Boksit të Kosovës për KOHËN.

“Natyrisht se do të paraqesim ankesë. Vetëm presim që raporti të bëhet zyrtar”, ka shtuar ai.

Edhe nga Federata Atletike e Kosovës kanë paralajmëruar ankesë, duke konsideruar se nuk u është vlerësuar drejt një rezultat i rëndësishëm.

Përkrahja e federatave nga shteti bëhet në bazë të kategorizimit. Deri në vitin 2023 procesin e kategorizimit e bëri Komiteti Olimpik i Kosovës. Por më pas përgjegjësinë e mori MKRS-ja, që kategorizimin po e bën për herë të dytë.

Edhe vitin e kaluar në kategorinë A ishin vetëm xhudoja me 113.57 pikë, hendbolli me 87.8 pikë dhe volejbolli me 85.2 pikë. Sipas raportit preliminar, volejbolli e hendbolli kanë ndërruar vendet. Në kategorinë B vjet ishin futbolli me 83.5 pikë, boksi me 83.2 pikë dhe basketbolli me 80.6 pikë. Në C ishin atletika me 73.9 pikë, pingpongu me 73 pikë dhe mundja me 68.8 pikë. Federata tjera ishin në kategorinë D.

Kategorizimi bëhet në bazë të nëntë kritereve të ndryshme ku përfshihet organizimi i garave ndërkombëtare, rezultatet në garat ndërkombëtare, masiviteti, statusi i sportit, popullariteti, tradita, gjithëpërfshirja, ngritja e kapaciteteve dhe organizimi i aktiviteteve vendore.