(Blick) – Kushdo që hyn në dhomën e ndejës në shtëpinë e familjes Rama në komunën Aargau të Widenit do të vërejë menjëherë trofetë e shfaqur.

Milaim Rama (48) mori një prej tyre kur u votua si lojtari më i mirë shqiptar jashtë vendit, në vitin 2022. Një çmim tjetër është ai për lojtarin më të mirë të Superligës së Zvicrës për muajin nëntor të vitit të njëjtë.

Pos trofeve të mëdhenj ka edhe trofe të vegjël në vitrinat e dhomës së ndejës. Milaimit i pëlqen të shikojë trofeun e “All Star Team” për një turne të sallës të mbajtur në vitin 2015. Kjo pasi nuk është turne i fituar prej tij, por nga vajza e ish-sulmuesit, Alketa.

21-vjeçarja është pjesë e skuadrës së futbollisteve të Zurichut që nga vera e kaluar.

“Tashmë jam më shumë krenar për karrierën e saj se për karrierën time”, thotë Milaimi i lumtur. Dhe ashtu si babai i saj, Alketa jo vetëm që arriti në ligën kryesore në Zvicër, por u bë edhe reprezantuese. Në shtator të vitit 2022 ajo debutoi në kualifikimet e Botërorit për Kosovën.

“Fatkeqësisht babai im nuk pati kurrë mundësi të luante për vendin e tij. Kështu që mendova të shkoja nga ana tjetër dhe të përpiqesha ta bëja krenar në këtë mënyrë”, thotë Alketa.

Sulmuesja më parë kishte luajtur ndeshje ndërkombëtare për të rejat e Zvicrës. Para debutimit te Kosova ishte e vetëdijshme se: “Nëse luaj tani, nuk do të ketë kthim prapa”.

Por Alketa kurrë nuk u pendua për vendimin e saj.

“Ndeshja e parë ishte shumë emocionuese. Ishte një ndjenjë shumë e veçantë të veshja për herë të parë atë fanellë dhe më bëri shumë krenare”, kujton Alketa.

“Në Kosovë ende flasin për Kampionatin Evropian 2024”

Babai i saj dikur shkoi në anën e kundërt. Milaimi në moshën 17-vjeçare iku nga Kosova në Zvicër dhe filloi të luante futboll për FC Interlaken në ligën e pestë. Sulmuesi i talentuar më pas u ngjit hap pas hapi, derisa arriti te FC Thun në NAti B, në moshën 21-vjeçare. Ishte fillimi i një përralle të vogël futbolli: promovimi në Nati A, thirrja në përfaqësuesen e Zvicrës, pjesëmarrja në Kampionatin Evropian.

Me rrëfimin e tij Milaim Rama ua hapi rrugën lojtarëve të tjerë të shumtë të Zvicrës, me rrënjë kosovare, si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka apo Andi Zeqiri.

“Ftesa e parë për mua nga Zvicra shkaktoi shpërthim në Kosovë”, thotë lojtari që luajti shtatë ndeshje për Zvicrën. “Njerëzit ende flasin se si unë isha shqiptari i parë i Kosovës që arrita në një Kampionat Evropian”.

Kjo është arsyeja pse Milaimi sheh lidhje shumë të veçantë mes dy vendeve, kur bëhet fjalë për futbollin.

“Kur luan Zvicra të gjithë në Kosovë e mbështesin atë”, thotë ai. “Përveç nëse është kundër Kosovës apo Shqipërisë”.

Alketa përjeton vazhdimisht statusin që babai i saj ka në vendlindje, kur ajo viziton Kosovën.

“Njerëzit janë shumë krenarë për atë që ka arritur babai im”, thotë ajo.

Derisa dikur njihej kryesisht si vajza e Milamit, tani ajo po pranohet gjithnjë e më shumë si futbolliste.

Këshillat e mjekëve për t’i dhënë fund karrierës

Por karriera e Alketës ishte në prag të përfundimit, një vit e gjysmë më parë. Në gusht të vitit 2023 ajo pësoi lëndim të diskut dhe këmba e saj e majtë u paralizua papritur.

“Për një moment të shkurtër mendova se ëndrra ime ishte shkatërruar”, thotë ajo.

Mjekët e këshilluan që t’i jepte fund karrierës.

“Nuk pashë më dritë në fund të tunelit”, thotë futbollistja.

Por Alketa u kundërpërgjigj. Hap pas hapi. Me gjimnastikë uji dhe fizioterapi, deri në gjashtë injeksione në javë dhe alternativa homeopatike.

“Festuam edhe sukseset më të vogla. Për shembull, kur Alketa mundi të ecte sërish për herë të parë pa problem” tregon Milaimi.

Sprova e vajzës së tij ishte shumë e dhimbshme për ish-futbollistin.

“Nëse grisni një ligament do të jeni sërish në formë pas disa muajsh. Por, dëmtimi i shpinës në moshë kaq të re është diçka krejt ndryshe”, thotë ai.

Vazhdimi i ëndrrës

Lehtësimi ishte i madh kur Alketa bëri kthimin e saj të shumëpritur në ndeshjen e parë të edicionit kundër Thunit, gushtin e kaluar.  Pra, ndaj ish-skuadrës së babait të saj.

Rikthimi nuk mund të shkonte më mirë. Menjëherë pasi hyri në lojë, debutuesja fitoi një penallti. Më pas shënoi gol e në fund edhe asistoi.

“Ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte. Më është hequr një peshë e madhe nga supet”, thotë Milaimi.

Që atëherë janë regjistruar edhe nëntë ndeshje të tjera. Kryesorja ishte në fitoren 2:1 ndaj Baselit. Para rreth 3.000 shikuesve, Alketa shënoi golin e fitores pak para fundit. E gjithë familja e saj, përfshirë gjyshërit, festuan në tribunat e “St. Jakob-Park”.

“Ishte një moment që nuk do ta harrojmë kurrë”, thotë Milaimi.

Milaimi nuk kishte shënuar asnjëherë në “St. Jakob-Park”, ndonëse i ka 54 gola në Superligë. Por, nuk është kjo gjëja e vetme që ai ka pak zili ndaj vajzës.

“Ajo tani po gjuan nga distanca shumë më shpesh”, thotë ai.

Alketa, në anën tjetër, do të donte të mësonte disa gjëra për lojën me kokë nga babai i saj.

“Dhe të isha e qetë para portës sa ishte ai”.

Sipas nënës së Alketës, Valdetes, babë e bijë nuk dallojnë shumë në fushën e lojës.

“Ajo thotë se i ngjaj babait, thjesht jam më e vogël dhe më femërore”, thotë Alketa duke qeshur.

“Kam parë video edhe vetë. Është e pabesueshme se sa shumë ngjashmëri kemi në stilin tonë të lojës”, vazhdon ajo.

Ndonëse ka shënuar dy gola, Alketa nuk është plotësisht e kënaqur me edicionin e parë në elitën e Zvicrës.

“Sigurisht që gjithmonë dëshironi të luani më shumë dhe të shënoni më shumë. Ky është objektivi im i madh për gjysmën e dytë të kampionatit”.

Ajo nuk po i bën presion të madh vetes pas pushimit të gjatë për shkak të lëndimit. Babai i saj tregoi se çka është e mundur në futboll, ndonëse doli vonë në skenë. Milaimi debutoi në Superligë në moshën 26-vjeçare. Kjo i mjaftoi që në vitrinat në dhomën e ndejës të vendosë trofe e çmime të shumta.