Baseli nuk e nisi mirë edicionin aktual të elitës së futbollit të Zvicrës, por më pas ktheu formën dhe tani është në garën për titull të kampionit.

Forma e mirë është arritur vetëm pas kthimit të Xherdan Shaqirit në skuadër. 

33-vjeçari që tani është kapiten i Baselit, u kthye në kampionatin helvetik në gusht të vitit të kaluar, kur u transferua nga Chicago Fire e ligës MLS të SHBA-së. 

Baseli pas 20 ndeshjeve të luajtura e ka sulmin më të mirë me 46 gola të realizuar gjithsej. 

Shaqiri ka kontribuuar me tetë gola e 11 asistime në të gjitha garat e edicionit aktual për Baselin. 

Në vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë të kampionatit, Baseli kishte shënuar vetëm 24 gola. Deri në fund të edicionit e kishte arritur shifrën e 45 golave të realizuar. 

Pra, forma e skuadrës së madhe helvetike ka pasur rritje të ndjeshme. 

Lugano është në vendin e parë në kampionatin zviceran me 35 pikë, një më shumë se Baseli. 

Baseli ndeshjen e radhës e luan në udhëtim te Zurichu më 2 shkurt.