Menjëherë pasi Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori vendimin që Kampionati Evropian i vitit 2027 për futbollistët deri në 21 vjet të mbahet në Shqipëri e Serbi, Konfederata Evropiane dha detaje për shortin e kualifikimeve.
Shorti i kualifikimeve do të tërhiqet të enjten nga ora nëntë. Ndeshjet kualifikuese nisin menjëherë në mars të këtij viti, ndërsa vazhdojnë deri në tetor të vitit 2026. Më pas është edhe faza e plejofit, ndërsa Evropiani Serbi – Shqipëri zhvillohet në qershor të vitit 2027.
Nikoqiret Shqipëria e Serbia nuk do të jenë pjesë e kualifikimeve. Kualifikohen direkt në Evropianin U21. Ndërkohë në mesin e 51 përfaqësueseve të kualifikimeve është edhe Kosova U21.
Në kualifikime do të jenë gjashtë grupe me nga gjashtë përfaqësuese dhe tri grupe me nga pesë përfaqësuese.
Kosova U21 për shortin e së enjtes do të jetë në vazon e katërt. Pra mund të ketë një apo dy kundërshtarë në grup, që llogariten më të dobët.
Në vazon e katërt janë edhe Skocia, Uellsi, Izraeli, Maqedonia e Veriut, Turqia, Irlanda e Veriut, Ishujt Faroe dhe Islanda.
Vazoja e parë përbëhet nga Spanja, Anglia, Portugalia, Holanda, Gjermania, Franca, Ukraina, Italia dhe Danimarka.
Pasi Serbia është nikoqire dhe Rusia është e suspenduar nga UEFA, Kosova në kualifikime nuk mund të jetë në grup vetëm me Bosnjë-Hercegovinën.
Nëntë fituesit e grupeve kualifikohen direkt në Evropianin në Shqipëri e Serbi, ndërsa kualifikohet edhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë nga të gjitha nëntë grupet. Tetë përfaqësueset e tjera që përfundojnë në vend të dytë luajnë në plejof.
Evropiani i ardhshëm i futbollistëve deri në 21 vjet mbahet në qershor të këtij viti në Sllovaki.
Në kualifikime Kosova U21 ishte në Grupin D. U rendit e katërta me 12 pikë. Grupin e fitoi Gjermania me 26 pikë. Pos Gjermanisë u kualifikua edhe Polonia nga vendi i dytë, me 22 pikë. E treta ishte Bullgaria me 15 pikë, ndërsa pas Kosovës mbetën Estonia me shtatë pikë dhe Izraeli me tri pikë.
Nëse eventualisht kualifikohet në Evropianin 2027, për të cilin sukses gjasat nuk janë edhe shumë të mëdha, është e natyrshme që Kosova të garojë në njërin prej dy grupeve që do të zhvillojnë garën në Shqipëri.
Në Shqipëri do të luajnë edhe kuqezinjtë, ndërsa Serbia U21 luan në territorin e saj. Finalja do të zhvillohet në Tiranë.