Benjamin Kololli u vetëcaktua si ekzekutues i dy penalltive që iu dhanë Sionit në fund të ndeshjes së zhvilluar të martën ndaj Servettes (3:3). Nuk ishte domosdoshmërisht ai që duhej t’i gjuante.

“Benjaminit ende i mungon ritmi dhe ndoshta nuk luan aq sa do të donte. Fakti që ai vendosi të ekzekutonte dy penalltitë tregon karakterin dhe personalitetin e tij”, thotë drejtori sportiv i Sionit, Barthelemy Constatin, shkruan “Blick” të martën.

Fatmirësisht Kololli i shënoi dy penalltitë. Penalltia e dytë e gjuajtur nga Kololli ishte me goditje “panenka”.

“Benjamini shënoi, kështu që nuk do të ketë penalizim. Është diçka që trajneri duhet ta rregullojë, nuk ka asnjë problem”, shtoi drejtori sportiv.

Kololli 32-vjeçar u inkuadrua në fushë në minutën e 81-të të ndeshjes së Superligës së Zvicrës. Golin e parë e shënoi katër minuta pas inkuadrimit. Ishte goli i barazimit 2:2, ndërsa në minutën e 89-të shënoi golin e dytë. Ndeshja i takoi xhiros së 22-të të Superligës zvicerane.

“Ishte mendja që foli në këtë rast”, thotë Kololli për “20 Minuten”.

Te Sioni kanë besim te Kololli, i cili ka shënuar 46 gola dhe ka asistuar 27 herë në Superligë.

Për Kolollin ishin dy golat e parë të shënuar me fanellën e Sionit, skuadër të cilës iu bashkua në janar. Pjesë e Sionit ishte edhe nga viti 2013 deri në vitin 2015.

Së fundi ishte pjesë e Baselit. Ai ka luajtur më herët edhe për Zurichun, Lausannen, Young Boysin e Le Montin. Për Kosovën ka shënuar katër gola në 24 paraqitje. 

Golin e parë për Sionin e shënoi Kreshnik Hajrizi, i cili u zëvendësua në minutën e 68-të. Hajrizi ka mohuar se është i lënduar. Ka thënë se ka ndier shtrëngim. 

“Jo, kam pasur ngërçe. Po luaj pas shtatë muajsh, më duhet të kthej ndjenjat e mira, por do të bëhet mirë”, shpjegoi Hajrizi për “Blick”. 

Hajrizi 25-vjeçar luan si mbrojtës i qendrës. Për Kosovën ka zhvilluar katër ndeshje.

Sioni është në vendin e nëntë në elitën helvetike me 27 pikë.