Përzgjedhësi i Përfaqësueses U21 të Kosovës në futboll, Afrim Tovërlani, ka thënë se synimi është kualifikimi në Evropianin e vitit 2027 për grupmoshën U21 që do të mbahet në Shqipëri dhe Serbi.

Tovërlani ka theksuar se Spanja është favorite e Grupit A. Rumania, Finlanda, Qiproja dhe San Marino janë kundërshtaret tjera të Kosovës për Evropianin e grupmoshës deri 21 vjet.

“Për ne nuk ka grupe të lehta, mirëpo duhet të mësohemi të luftojmë me të fortit. Të jemi real dhe korrekt. Asnjëra prej grupeve nuk ishte e lehtë. Ajo që neve na takon është të përgatitemi, të punojmë dhe të analizojmë shumë për të tentuar një kualifikim. Duhet të vij dita që edhe ne të kualifikohemi. Kuptohet që Spanja do të llogaritet favorite, mirëpo kemi arritur edhe në të kaluarën me kombëtare të forta siç është Gjermania të përballemi me shumë sukses dhe nuk do të thotë që edhe në këtë grup të mos luftojmë deri në fund”, ka thënë Tovërlani të enjten për KOHËN.

Kosova e luan në udhëtim ndaj Rumanisë ndeshjen e parë kualifikuese.

Ndeshjen ndaj rumunëve “Dardanët” e rinj e zhvillojnë më 5 shtator. Pas katër ditësh, Kosova në Prishtinë e pret favoriten e Grupit A, Spanjën. Më 14 tetor luan sërish në shtëpi kundër San Marinos, ndërsa vitin e përmbyll me dy ndeshje si mysafire kundër Qipros dhe Finlandës, më 14 e 18 nëntor.

“E vetmja që nuk më pëlqeu ishte që dy ndeshjet e para i kemi me Spanjën dhe Rumaninë në shtatorin e këtij viti. Mirëpo nuk dëshironin ta ndërrojnë orarin dhe ishim të obliguar që ta respektojmë ashtu siç ka qenë shorti. Kam shpresë sepse është grup i mirë, por na duhet punë, disiplinë, angazhim për të krenuar fanellën Dardane. Ne do të luftojmë për të shkuar në Tiranë dhe të tregojmë më të mirën”, është shprehur Tovërlani.