Futbollisti me prejardhje nga Kosova, Arijon Ibrahimoviq, më 12 janar u prezantua si futbollist i ri i skuadrës së njohur italiane, Lazio. Klubi nga Roma e huazoi nga Bayerni deri në fund të edicionit aktual.
Ibrahimoviq të enjten për herë të parë ka folur në konferencë për medie. Ai ka treguar synimet e tij personale.
“Kam stërvitur shumë në këtë periudhë, por nuk kam luajtur shumë. Për fat të keq nuk kam pasur shumë mundësi te Bayerni. Por unë po punoj fort që të përmirësohem, po punoj me intensitet të lartë. Puna në një ambient të tillë si te Bayerni të jep motivim për të arritur sukseset e Thomas Mullerit dhe Harry Kanet. Inspirohem nga ta dhe pa dyshim se dua t’i arrij nivelet e tyre”, ka deklaruar Ibrahimoviqi.
Lazio, që zë vendin e katërt në Serie A, të dielën luan në shtëpi përballë Monzas. Ibrahimoviq me padurim pret rastin te Lazio.
“Pozita ime e preferuar është si mesfushor qendror. Por mund të luajë kudo në fazën sulmuese dhe do t’ua shfaq të gjithëve kualitetet e mia. Kam ardhur këtu pas bisedave që kemi pasur. Kam mbetur i kënaqur me projektin që më është prezantuar. Por, unë duhet të jem i durueshëm. Nuk e di nëse do të jem në gjendje të luajë së shpejti, por duhet të jem i durueshëm dhe ta pres mundësinë për ta dhënë më të mirën”, është shprehur Ibrahimoviqi.
Ibrahimoviqi ka thënë se ka folur me trajnerin Marco Baroni dhe ka treguar për bisedat e para me të.
“Kam folur me drejtorin e klubit dhe trajnerin. Mendoj se do ta kem shansin, por gjithçka varet nga unë. Nëse stërvitem mirë dhe jap sinjale pozitive, do ta kem hapësirën. Gjithçka varet nga unë dhe unë do ta arrij një gjë të tillë”.
Fjalë të mëdha për futbollistin e talentuar ka dhënë edhe drejtori sportiv i Lazios, Angelo Fabiani. Ai ka thënë se është i ri në moshë, dhe cilësitë e tij i ka treguar edhe për periudhën sa ka luajtur në Serie A me Frosinonen.
“Ai është i lindur në vitin 2005 dhe e njeh futbollin italian. Ka bërë gjëra të shkëlqyera vitin e kaluar te Frosinone. E ka marrë vëmendjen tonë. Dua ta falënderoj Ibrën dhe menaxherin e tij që e arritën marrëveshjen me Bayernin për huazimin e tij. Mendoj se këtu në Lazio mund t’i shfaqë vlerat që i ka. E ardhmja e tij në botën e futbollit do të jetë me plot kënaqësi. Ai është shumë i talentuar dhe me teknikë të jashtëzakonshme”, është shprehur drejtori sportiv Fabiani.
Ibrahimoviqi kryesisht aktivizohet si mesfushor prapa sulmuesve dhe në krah. Me ekipin e parë të Bayernit ka zhvilluar katër paraqitje, ndërsa në nivel përfaqësuesesh, ka luajtur për Gjermaninë në të gjitha grupmoshat, nga U16 deri në U20.
Te skuadra gjermane është prej vitit 2018, ndërsa ka kontratë me bavarezët deri në vitin 2027.
Ai më herët kishte luajtur te të rinjtë e Nurnbergut dhe Greuther Furthit, më pas i ishte bashkuar skuadrës së madhe gjermane. I huazuar në shtator të vitit 2023 ishte edhe te Frosinone. Ibrahimoviqi me Frosinonen i zhvilloi 18 ndeshje.
U kthye te Bayerni në verën e vitit të kaluar, pas dy golave të shënuar e një asistimi.