Portieri i ri i Dukagjinit, Cyrus Margono, u prezantua me shumë bujë nga Dukagjini i Klinës. 

Klinasit besojnë se porta me indonezianin, do të jetë më e sigurt gjatë stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në futboll që nis të premten. Besimin e trajnerit Ismet Munishi, Margono e ka fituar gjatë fazës përgatitore në Turqi. 

Margono është 23-vjeçar, ndërsa së fundi ishte pjesë e Panathinaikosit B të Greqisë.

Ai shpreson që përmes Dukagjinit të sigurojë ftesën nga Përfaqësuesja e Indonezisë, që drejtohet nga ish-sulmuesi i njohur holandez, Patrick Kluivert. Kluiverti e mori drejtimin e Indonezisë më 8 janar të këtij viti, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2027. 

“Njëra prej arsyeve pse kam vendosur të vij këtu në Kosovë është sepse liga është në rritje. E kam parë se në renditjen e ligave të Evropës është e 36-ta nga 55. Unë jam i fokusuar te paraqitjet e mia, për ta ndihmuar ekipin në mënyrën më të mirë, për t’i arritur objektivat tona. Dhe nëse luaj rregullisht, besoj se do të jem portieri i parë indonezian që luan në Evropë. Kështu që do ta bëj më të mirën për ekipin dhe për veten. Për të tjerat mund të presim dhe të shohim”, ka thënë Margono të enjten për KOHËN. 

Margono u lind në New York, ku edhe nisi të luajë futboll në moshën katërvjeçare. Deri në moshën 11-vjeçare ishte mesfushor i krahut të majtë, por më pas zgjodhi ta vazhdojë karrierën si portier. Ka qenë pjesë e akademisë së futbollit Metropolitan Oval në Queens të New Yorkut, ndërsa ka luajtur edhe për ekipe universitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si 19-vjeçar iu bashkua ekipit të dytë të Panathinaikosit, në kategorinë e dytë të futbollit grek. Ishte i përfshirë në formacion në disa ndeshje të elitës greke e në Kupë të Greqisë. Por, nuk luajti. 

“Futbollin nuk e kam trajtuar si punë, e kam trajtuar si jetë. Gjithçka që bëj është për të mirën time për karrierën në futboll, ekipin dhe njerëzit përreth meje. Mënyra se si ha, fle dhe si punoj para e pas stërvitjeve, kanë bërë të jem ky që jam”, tregon Margono, i cili shton se nga Greqia është larguar pasi kishte nevojë për më shumë paraqitje. 

Por pas kontakteve me zyrtarë të klubit klinas, ai vendosi që t’i bashkohej Dukagjinit në Antalya për përgatitje.

“Kam folur me trajnerin Ismet. Ai më ka mirëpritur dhe më ka përkrahur nga momenti i parë që kam ardhur. Ai është person shumë pozitiv dhe mund ta shihni se sa shumë respektohet këtu nga të gjithë. Jam i impresionuar me jetën këtu në Kosovë. I kam vizituar disa qytete dhe janë të bukura. Më e rëndësishmja është se njerëzit këtu janë të shoqërueshëm dhe të vërtetë”, thotë Margono. 

23-vjeçari Margono pritet të jetë titullar te Dukagjini në portë në duelin e së premtes, në udhëtim te Ballkani, kampioni i tri edicioneve të fundit në Kosovë. 

Kjo ndeshje luhet nga ora 12:00 dhe e shënon nisjen e pjesës së mbetur të sezonit në futbollin kosovar. 

Dukagjini është i shtati në tabelë me 21 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në pozitën e gjashtë.