Me ndeshjet Drita–Malisheva dhe Ballkani–Dukagjini nis edhe stinori pranveror i Superligës së Kosovës në futboll. Dy ndeshjet e para të javës së 19-të të elitës së futbollit kosovar do të zhvillohen të premten nga ora 12:00.

Drita është lidere e Superligës me 40 pikë, kurse Malisheva në vendin e tretë me dhjetë pikë më pak. Shtatë pikë më pak ka kampioni Ballkani, që zë vendin e dytë.

Trajneri i futbollit, Gani Sejdiu, i sheh Dritën e Ballkanin favoritët kryesorë në garën për titull të kampionit.

“Unë mendoj se Drita dhe Ballkani do të jenë dy skuadrat e vetme që deri në fund do të luftojnë për titull të kampionit. Dritën e shoh më favorite, pasi është në avantazh të theksuar edhe në aspektin e pikëve e po ashtu edhe sa i përket komponimit. Ballkani ka bërë disa ndryshime si te shtabi teknik ashtu edhe te lojtarët”, ka thënë Sejdiu të enjten për KOHËN.

Drita e Ballkani i zhvilluan në Antalia të Turqisë përgatitjet. Edhe shumica e klubeve elitare të Superligës u përgatitën në Turqi për stinorin pranveror, ndërsa zhvilluan me klube të ndryshme evropiane disa ndeshje kontrolluese. Klubet e Superligës po ashtu kanë bërë disa përforcime. Por Sejdiu insiston se vendi i parë dhe i dytë do t’u takojë Dritës dhe Ballkanit.

Te Drita e Ballkani thonë se janë gati për ndeshjet e pranverës.

“Programi i përgatitjeve është realizuar ashtu si e kishim paraparë. Zhvilluam disa ndeshje kontrolluese ku rezultati nuk ka qenë në plan të parë, po kemi kërkuar disa gjëra të tjera nga lojtarët. Mendoj se kemi arritur të marrim atë që kërkuam. Objektivi ynë është shumë i qartë nga fillimi i kampionatit dhe ashtu do të vazhdojë të jetë edhe në pjesën e dytë. Në çdo ndeshje të futemi për fitore. Ndaj Malishevës do të jetë ndeshje e vështirë. Gjithmonë ndeshja e parë është shumë e vështirë, por edhe kualiteti i Malishevës e bën edhe më të vështirë këtë takim. Por neve na intereson të nisim mirë stinorin pranveror dhe shpresoj në angazhim maksimal dhe arritje të qëllimit në këtë ndeshje”, ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani të enjten për KOHËN.

Edhe trajneri i Ballkanit, Orges Shehi, thotë se titulli është objektivi kryesor i klubit.

“Përgatitjet kanë shkuar përgjithësisht mirë edhe pse kemi pasur disa ndalesa të disa lojtarëve disa ditë nga procesi stërvitor për shkak të gripit sezonal, por tani janë kthyer të gjithë të gatshëm. Përgatitjet janë për lojtarët të marrin ngarkesat e duhura dhe të mos kemi ndonjë dëmtim por dihet që ndeshjet që zhvillohen janë të ndryshme nga ato kampionale. Objektivi ynë do të jetë të marrim maksimumin në çdo ndeshje dhe në fund do të shohim renditjen. Por dihet që një klub si Ballkani ka objektiva madhore gjithmonë”, ka thënë Shehi për KOHËN.

Gara për dalje në Evropë

Krahas dy vendeve të para, edhe vendi i tretë dhe fituesja e Kupës sigurojnë paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës. Sejdiu thotë se për vendin e tretë gjasat më të mëdha i kanë Malisheva dhe Prishtina.

“Për vendin e dytë në Evropë e shoh Ballkanin ose Dritën, varësisht se cila e fiton titullin, pasi këto dy ekipe do të jenë deri në fund për vend të parë dhe dytë. Për vendin e tretë e shoh Malishevën, Prishtinën dhe gjasa ende ka edhe Suhareka. Por të shtunën do të jetë lojë direkte në mes të Prishtinës dhe Suharekës. Nëse Prishtina fiton, atëherë Suhareka do të largohet nga ajo garë. Më shumë gjasa kanë Prishtina e Malisheva”, ka thënë Sejdiu.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, nuk e vë në diskutim mbetjen në Superligë. Thotë se Llapi synon Evropën.

“Në bazë të asaj që kemi punuar në përgatitje dhe ndeshjet kontrolluese që i kemi pasur në Antalia, në pranverë besoj se do të jemi skuadër solide që do ta sigurojmë paraqitjen në garat evropiane. Futbollistët janë shumë të motivuar. Janë rikthyer edhe lojtarët e lënduar. Mendoj se kemi skuadër të mirë, jemi përgatitur mirë dhe shpresoj të mos i zhgënjejmë prapë ‘Legjendat’ dhe të paraqitemi në Evropë”, ka thënë Batatina për KOHËN.

Llapi e përfundoi stinorin vjeshtor në vendin e parafundit me 18 pikë. Batatina thotë se Llapi do të jetë sensacion i Superligës në pranverë.

“Mungesa ime 100 % në ekip për shkak të angazhimit tim në kursin për t’u pajisur me licencën ‘UEFA Pro’, ka ndikuar negativisht te skuadra. Mungesa e shefit të shtabit ndikon, pa marrë parasysh punën që mund ta bëjnë ndihmësit, por është ndryshe, nuk është shefi. Tash jam 100 % i fokusuar te skuadra dhe Llapi në pranverë do të jetë krejtësisht ndryshe. Do të jemi një sensacion i Superligës në pranverë”, është shprehur Batatina.

Sejdiu: Llapi mund të jetë ekipi i dytë që mund të bjerë direkt nga elita

Vendi i nëntë në të cilin ndodhet Llapi dhe vendi i 10-të, pozitë në të cilën është Feronikeli 74, bien direkt nga elita.

Ferizaj aktualisht është në pozitën e tetë që dërgon në barazh. Ferizaj ka 20 pikë, ndërsa Dukagjini e Gjilani janë në pozitat gjashtë dhe shtatë me nga 21 pikë. Suhareka është e pesta me 25 pikë, derisa Prishtina në vendin e katërt me 27 pikë.

Trajneri Sejdiu insiston se Llapi mund të mos sigurojë një vend për mbetje në elitë. Ai thotë se Feronikeli 74 dhe Llapi janë më të rrezikuarit për rënie nga Superliga.

“Feronikelit 74 ka dhënë disa sinjale në vjeshtë dhe e shoh deri në fund në garë për t’i shpëtuar rënies. Për momentin Feronikelin 74, dhe me keqardhje e them Llapi mund të jetë ekipi i dytë që mund të bjerë direkt nga elita, sesa Ferizaj apo Dukagjini dhe Gjilani. Llapi ka gjasa për t’i ikur, por rrezikon të bie direkt nga liga. Ferizaj, Dukagjini kanë bërë goditje të mira. Gjilani është ekip që mendoj se është më kualitative se gjithë këto ekipet për t’i ikur barazhit”, ka thënë Sejdiu.

Java e 19-të e Superligës në futboll

E premte

Ballkani – Dukagjini

Drita – Malisheva

T: E shtunë

Llapi – Gjilani

Prishtina – Suhareka

E hënë

Ferizaj – Feronikeli 74

1. Drita 18           12           4             2             29:12    40

2. Ballkani            18           9             6             3             30:16    33

3. Malisheva       18           8             6             4             23:18    30

4. Prishtina         18           7             6             5             23:18    27

5. Suhareka        18           7             4             7             23:24    25

6. Gjilani               18           5             6             7             26:26    21

7. Dukagjini        18           6             3             9             16:25    21

8. Ferizaj              18           5             5             8             17:24    20

9. Llapi  18           4             6             8             18:23    18

10. Feronikeli      18           2             4             12           12:31    10