Ballkani ka fituar me gol të minutës së pestë të kohës shtesë dhe me shumë vështirësi ndaj Dukagjinit të Klinës.
Sunday Adetunji shënoi pas gjuajtjes me kokë nga zona në minutën e 95-të për fitoren shumë të vlefshme të suharekasve.
Ballkani e mposhti Dukagjinin 1:0 në ndeshjen e xhiros së 19-të të Superligës, që ishte e para për stinorin pranveror.
Për Ballkanin ishte fitorja e tretë rresht në elitë, ndërsa Dukagjini e pësoi humbjen e parë pas fitores ndaj Ferizajt e barazimit me Llapin.
Ballkani në vendin e dytë ka 36 pikë, shtatë më pak se Drita lidere.
Dukagjini mbetet me 21 pikë në vendin e shtatë, aq sa ka edhe Gjilani në pozitën e gjashtë por me një ndeshje më pak të luajtur.
Ballkanit në këtë ballafaqim iu anuluan dy gola për pozitë jashtë loje.
Në pjesën e parë shënoi Almir Ajzeraj, ndërsa Sunday Adetunji shënoi në pjesën e dytë.
Dukagjini luajti pa Mërgim Pefqelin nga minuta e 87-të, pasi mesfushori i klinasve u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Në xhiron e 20-të, Ballkani luan në udhëtim te Gjilani, derisa Dukagjini luan sërish në Suharekë, ndaj Suharekës.