Disa mediume të ndryshme në Itali po raportojnë se Juventusi tashmë ka marrë vendimin që të përpiqen për ta blerë kartonin e Randal Kolo Muanit nga Paris Saint-Germaini.

Kolo Muani iu bashkua ‘Zonjës së Vjetër’ si huazim gjatë afatit kalimtar të janarit, që do të thotë se ai do të rikthehet në Paris pa marrë parasysh se çfarë ndodhë në muajt e ardhshëm në Serie A.

Reprezentuesi francez ka shënuar pesë gola në tri ndeshjet e tij të para për Juventusin, duke u bërë kështu lojtari i parë që nga koha e Roberto Baggios në vitin 1990, që shënon në tri paraqitjet e para për ‘Bianconerët’.

Tani, Juventusi ka filluar punën për të zgjatur qëndrimin e 26-vjeçarit në Turin përtej verës, sipas Corriere dello Sport dhe Tuttosport.

Juventusi ka besim se PSG-ja nuk e dëshiron rikthimin e Kolo Muanit, veçanërisht pasi Luis Enrique e rinovoi kontratën deri në verën e vitit 2027.

Tekniku spanjoll ishte ai që mori vendimin për ta përjashtuar Kolo Muanin nga ndeshjet që i zhvilluan më herët këtë sezon.

Megjithatë, do të duhet një ofertë e madhe për të siguruar shërbimet e francezit, kjo duke marrë parasysh se PSG shpenzoi 85 milionë euro për transferimin e tij nga Eintracht Frankfurti në vitin 2023.

Para se Juventusi të mendojë për blerje, ata fillimisht duhet të shesin disa lojtarë ku tashmë është bërë e ditur se Andrea Cambiaso dhe Dusan Vlahovic kanë gjasa të mëdha të largohen në verë.