Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, tha se skuadra e tij e di mirë “traditën” e Real Madridit për të ofruar më të mirën në periudha të vështira dhe sfiduese. Madrilenët po kanë telashe me lëndime. Mbrojtja e tyre është dëmtuar ndjeshëm para ndeshjes së parë të plejofit të fazës nokaut të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja mes dy gjigantëve të futbollit, Manchester Cityt dhe Real Madridit, zhvillohet të martën në “Etihad” nga ora 21:00. Ndeshja e kthimit e raundit të plejofit është pas një jave në Madrid.

Real Madridi dhe Manchester City dështuan të avancojnë direkt në një të tetën e finales së Championsit. Në këtë fazë kaluan tetë skuadrat që ishin të parat në tabelë gjatë fazës së ligës. Real Madridi përfundoi në vendin e 11-të, ndërsa Manchester City e siguroi avancimin në pjesën e dytë të ndeshjes së fundit dhe u rendit i 22-ti. Kështu të dy skuadrat duhet të luajnë në plejof, ndërsa shorti nuk i shërbeu asnjërës.

Madridi e City përballen për vitin e katërt rresht. Ka pak të panjohura për Pep Guardiolan e Carlo Ancelottin. Ky i fundit do të jetë pa mbrojtësit vendimtarë, Dani Carvajal, Antonio Rudiger, Eder Militao e David Alaba.

“Mendoj se të dy ekipet kanë pasur telashe sa u takon lëndimeve gjatë edicionit. Madridi e përballoi shumë më mirë se ne, pasi është në vendin e parë në ligë dhe luftoi ndaj Atletico Madridit”, ka thënë Guardiola në konferencë për shtyp të hënën.

Sipas tij, kjo dëshmon vazhdimësinë që e ka Madridi.

“Në fund të fundit Madridi është skuadër shumë garuese. Ne e dimë këtë. Jemi përballur shumë shpesh me këtë skuadër dhe e dimë se si në momentet më të vështira e shfaq më të mirën që ka. Natyrisht, ne duhet të luajmë dy ndeshje të mira për të avancuar”, ka shtuar Guardiola.

Prej se dy skuadrat u përballën vitin e kaluar, Madridi ka forcuar sulmin edhe ashtu të frikshëm, me Kylian Mbappe. Në sulm janë edhe Rodrygo, Vinicius Junior dhe Jude Bellingham, por edhe të tjerë.

Ai e di që është e pamundur të ndalen sulmuesit e Real Madridit. I ka vlerësuar “të jashtëzakonshëm”.

“Ata katër janë të jashtëzakonshëm për mënyrën se si bashkëpunojnë, si vrapojnë, për aftësinë në situatat një kundër një, për atë se si e mbajnë topin. Të gjithë e dinë këtë, kështu që duhet të reduktojmë përfshirjen e tyre sa më shumë, duke ditur se kjo do të ndodhë”, ka shtuar Guardiola.

City ka pasur telashe sidomos në Premier League, por edhe në Champions. Ende pëson humbje të rënda kohë pas kohe.

Mbrojtësi Ruben Dias ka thënë se kampanja aktuale ishte më sfiduesja e tij prej se iu bashkua Cityt në vitin 2020. Por portugezi është optimist për shanset në Champions. Ai i beson cilësisë së lojtarëve, ndërsa ka shtuar se vetëm duhet që cilësia të përdoret në mënyrën e duhur.

“Me besimin e duhur jemi në gjendje të bëjmë çdo gjë”, ka thënë Dias.

Madrilenët kanë udhëtuar optimistë por edhe të matur për në Angli. Në konferencë për shtyp, të hënën mbrëma, janë paraqitur sulmuesi Rodrygo dhe Carlo Ancelotti.

“Të luash ndaj Cityt është gjithnjë e vështirë. Mendoj se duhet të kemi mentalitetin e njëjtë si vitin e kaluar. Do të jetë vendimtare të marrim rezultat të mirë këtu. Thuajse secili ekip që vjen te Manchester City vuan. Trajneri na ka thënë se është e rëndësishme që lojtarët përpara të ndihmojnë në mbrojtje. Nëse këtë e shohin lojtarët në mbrojtje, i gjithë ekipi do të jetë i përfshirë. Kjo do të jetë vendimtare për vazhdimin e edicionit”, ka thënë Rodrygo.

Ai ka shënuar gola në të kaluarën ndaj Cityt, ndërsa beson se mund të jetë vendimtar sërish. Rodrygo ka thënë se është në moment të mirë. Ka thënë se do të jetë ndeshje e veçantë pasi përballen me njërin prej ekipeve më të mira në botë. Rodrygo ka lavdëruar trajnerin Ancelotti, duke theksuar se i ndihmon vazhdimisht dhe i kërkon që të përmirësohet.

Ancelotti ka folur për atmosferë të “klasikes” para përballjes me Cityn.

“Duket si ‘Clasico’ pasi kemi luajtur me njëri-tjetrin në këtë garë për shumë vjet. Do të jetë ndeshje argëtuese dhe e barabartë. Është shumë e vështirë të parashikohet çka do të ndodhë. Janë dy ekipe të nivelit shumë të lartë dhe ne duhet të shfaqim versionin tonë më të mirë”, ka thënë tekniku italian.

Ai është i befasuar me telashet që City po i ka në Premier League. Thotë se kampioni anglez është garues si gjithnjë, në bazë të asaj që ka parë në dy-tri ndeshjet e fundit.

“Nuk mund të mendoj se nuk është ekip i fortë, pasi ka lojtarë fantastikë”, ka thënë Ancelotti.

Faza e plejofit nis me ndeshjen Brest – PSG, që fillon në ora 18:45.

Të martën nga ora 21:00 janë edhe takimet Juventus – PSV dhe Sporting – Dortmund. Katër ndeshje të tjera janë të mërkurën.