Vedat Muriqi është shprehur shumë i lumtur për golat dhe fitoren e Mallorcas ndaj Las Palmasit.
Muriqi të dielën mbrëma i realizoi dy gola të bukur në fitoren 3:1.

“Jam shumë i lumtur. Momentalisht nuk ka person më të lumtur në botë se unë. Kam shënuar dy gola dhe ekipi ia doli të fitonte ndeshjen. Po shikoj para për më shumë”, ka thënë Muriqi për faqen zyrtare të Mallorcas.

Ai e qëlloi edhe shtyllën duke iu afruar golit të tretë. Ende nuk ka shënuar “hat-trick”.

“Ishte fat i keq, por kështu e ka futbolli. Shpresoj se kjo do të më ndihmojë që të punoj më shumë për të shënuar edhe javën tjetër”.

Ai ka vlerësuar paraqitjen e Mallorcas.

“Në pjesën e parë, pos që shënuam golat, kemi luajtur shumë mirë. Me apo pa top, ishim shumë mirë. Në pjesën e dytë kemi vuajtur pak por e kemi ditur se duhet ta fitojmë ndeshjen. Nuk ka rëndësi nëse kemi luajtur mirë apo keq. Kam dashur ta fitonim ndeshjen sa më shpejt dhe të ndërprisnim këtë seri të keqe. Jam shumë i lumtur që e arritëm këtë”, ka shtuar Muriqi.

Për Muriqin foli edhe trajneri Jagoba Arrasate.

“Pos punës që bën, nëse ai shënon gola për ne atëherë është e shkëlqyer. Ai i shënoi tre gola në dy ndeshje këtë javë që do t’i japin besim dhe shpresoj se do të vazhdojë në këtë mënyrë”, ka thënë Arrasate.

Edhe lojtarët e tjerë të Mallorcas kanë folur për ndikimin e Muriqit.

“Vetëkritika nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm është shumë e mirë për të gjithë, pasi përmirësimi fillon nga kjo. Ai e di që mund të shënojë më shumë gola. Shfaqi nivel të lartë, por sjelljet e tij dhe përkushtimi kanë qenë gjithnjë në nivel superior”, ka thënë Martin Valjent.