Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin, ka dhënë një intervistë shumë të gjatë për mediumin slloven “Delo”.
Në intervistë Çeferini ka folur për tema të ndryshme, kryesisht të natyrës politike, por edhe për zhvillimet politike në futboll.
Slloveni Çeferin është pyetur edhe për Evropianin U21 të vitit 2027 që do ta organizojnë Shqipëria e Serbia.
Gazetari i “Delo” ka vlerësuar se UEFA po thyen tabu, ndërsa ka përmendur këtë organizim të përbashkët. Sipas komentit të gazetarit një bashkëpunim i tillë është i pamenduar në sferën politike.
“Kam një dashuri të veçantë për të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Dekadat e fundit kanë qenë shumë të trishtueshme. Por i gjithë Ballkani Perëndimor është bombë e kurdisur. Problemi kryesor është se liderët e këtyre vendeve bisedojnë me burokratët evropiane që nuk e kuptojnë mendësinë e Ballkanit, ish-Jugosllavisë, Shqipërisë dhe vendeve tjera. Interesant është fakti se federatat e futbollit në Shqipëri dhe Serbi, të përkrahura nga qeveritë e dy vendeve, kanë shprehur dëshirën për të organizuar këtë garë së bashku, një dëshmi tjetër se sporti është mbi politikën. Se sportet janë diçka e mirë. Është një mundësi e shkëlqyer për të treguar se futbolli është mbi politikën e përditshme”, ka thënë Çeferin.