Porta e Luganos nuk mund të imagjinohet pa Amir Shaipin. Në Superligën e Zvicrës ai është një nga portierët më të mirë, kur bëhet fjalë për momente vendimtare.

Tani 24-vjeçari dëshiron të tregojë cilësitë e tij edhe te Kosova

“Po”, është përgjigjur Shaipi shkurt të martën për KOHËN, pas pyetjes nëse është i gatshëm të marrë përgjegjësitë për të ruajtur portën e Kosovës.

“Ne kemi portierë të mirë te Kosova. Në fund të gjithë duam të luajmë. Sigurisht që të gjithë japim maksimumin, por në fund të fundit vendimi i takon trajnerit”.

Shaipi vlerësohet portieri i dytë i Kosovës. Portier i parë është Aro Muriq.

Por Muriq ka humbur vendin tek ekipi i Premier Leagues, Ipswich Town. Nga tetë ndeshjet e fundit në Premier League, Muriq ka mbrojtur vetëm një herë për ekipin e tij.

Situata është ndryshe te Shaipi. Ai vetëm në një ndeshje të këtij edicioni nuk ka qenë në portë. Mungoi shkaku i lëndimit. Në të gjitha 24 ndeshjet e tjera ka qenë i pakontestueshëm në portën e Luganos

“Jam relativisht i kënaqur, pasi gjithmonë kërkoj më shumë nga vejta. Por aktualisht gjithçka po shkon mirë”, ka thënë portieri i Luganos, skuadër që po lufton për titull të kampionit.

“Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Ne e dimë se do të kemi orar të vështirë. Jemi në tri gara dhe duam të shkojmë sa më larg. Por patjetër duam të marrim maksimumin në të tri garat”, ka theksuar Shaipi.

Lugano është një nga katër ekipet që kanë nga 42 pikë pas xhiros së 25-të në elitën turke. Lugano vazhdon të jetë pjesë e Ligës së Konferencës, ndërsa është në garë edhe për Kupë të Zvicrës.

Shaipi në shtator të vitit të kaluar zgjodhi ta përfaqësojë Kosovën. Me fanellën dardane ka zhvilluar një ndeshje. U paraqit në fitoren 2:1 kundër Lituanisë më 12 tetor në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Jam shumë i lumtur te Kosova, sepse kam përreth shumë lojtarë të mirë. Është gjithmonë kënaqësi për mua të jem pjesë e grumbullimeve të Kosovës. Debutimi im ishte shumë i mirë, sidomos për shkak të fitores. Nuk mund të kishte shkuar më mirë”.

Shaipi u lind në Schaffhausen, ndërsa ka rrënjë nga Kosova. Para se të paraqitet për Kosovën ka luajtur për U20 dhe U21 të Zvicrës.

Kosova muajin e ardhshëm i luan dy ndeshje të plejofit të Ligës së Kombeve kundër Islandës.

Në shtator Kosova i nis kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Është në grupin B bashkë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

Kampanjën kualifikuese për Botëror e nis ndaj Zvicrës.

Luan apo jo kundër Zvicrës, dueli ka rëndësi të madhe për Shaipin.

“Do të jetë një lojë e veçantë për mua, sepse unë jam rritur këtu dhe jam ende në Zvicër”, ka thënë portieri.

Ai shpreson që synimet për kualifikim të mos mbesin vetëm ëndërr.

“Në çdo rast ëndrra mund të bëhet e vërtetë. Nuk duhet të fshihemi, sepse kemi një ekip të mirë”, ka thënë Shaipi.

Ai synon të luajë në të ardhmen në “top-5” ligat e Evropës. Shaipi me Luganon ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm.