Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka bërë ndarjen e çmimeve në ceremoninë  ‘Laureatët e Vitit 2024’.

Për të arriturat e veçanta në futbollin elitar ndërkombëtar, Edon Zhegrova, është nderuar me “Çmimin Special 2024”.


Pa çmim nuk mbeti as Kombëtarja e Kosovës në futboll e cila u shpall si më e mira nga KOK-u për vitin 2024.


U ndanë çmime edhe për dy gjinitë në basketboll, ku Yll Kastrati u shpall “Shpresa Olimpike 2024” në kategorinë e meshkujve, ndërsa në atë të vajzave u shpall Sidorela Dodaj.

Laura Fazliu e cila u shpall fituese e medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’ u shpërblye me “Çmimin Special 2024” në konkurrencën e vajzave.

Në ndërkohë, vajzat e hendbollit e fituan çmimin “Kombëtarja e Vitit 2024”.

Për sukseset e arritura me xhudistët tanë në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, Driton Kuka u shpall trajneri më i mirë për herë të nëntë.

Pasi u kurorëzua me medalje të argjendtë në Grand Slamin e Parisit, Akil Gjakova u shpall nga KOK-u si “Sportisti i Vitit” për herë të pestë.

Medalje në Grand Slamin e Parisit fitoi edhe Distria Krasniqi e cila fitoi të bronztën dhe për këtë arsye u shpall “Sportistja e Vitit” për herë të pestë radhazi.