Liverpooli po vazhdon sigurt drejt titullit të kampionit në Premier League.

Të shtunën, megjithatë, “Të Kuqtë” nuk patën ndeshje të lehtë kundër vendit të fundit, Southamptonin, por në fund ia dolën të triumfojnë 3:1.

Në fakt, të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e William Smallbone në fund të pjesës së parë, që e shfrytëzoi mjaft mirë mosmarrëveshjen mes portierit Alisson dhe Virgil van Dijkut.

Por Liverpooli shënoi dy gola për dy minuta në fillim të pjesës së dytë për ta përmbysur rezultatin.

Fillimisht, Darwin Nunez barazoi në minutën e 52-të, ndërsa Mohamed Salah një minutë më vonë i dha epërsinë vendasve.

Sulmuesi egjiptian shënoi edhe një gol tjetër nga penalltia në minutën e 88-të për t’i siguruar tre pikët Liverpoolit.

Salahi është golashënuesi më i mirë deri tash i kampionatit anglez me 27 gola e 17 asistime. Erling Haaland i Cityt i ka 20 gola.

Me këtë fitore, Liverpooli tubon 70 pikë në vendin e parë, 16 më shumë se Arsenali që ka dy ndeshje më pak.

Southamptoni me shumë gjasë nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Championship, teksa ka vetëm nëntë pikë në vendin e fundit.